presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani nderoi viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001: Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë dhe partnerë të vendosur kundër terrorizmit dhe çfarëdo forme që cenon lirinë e të tjerëve

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në New York ka bërë homazhe pranë memorialit 9/11 ku ka përkujtuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001.

Presidentja Osmani ka thënë se sot ka nderuar kujtimin për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, duke shtuar se populli i Kosovës është në krah të popullit amerikan, kundër terrorizmit dhe çfarëdo forme që cenon lirinë e të tjerëve.

Në vijim, postimi i plotë i Presidentes Osmani:

“Asnjë ditë e vetme nuk do t'i fshijë nga kujtesa e kohës”/ Virgil

Kjo thënie e Virgjilit e vendosur në ballë të Memorialit 9/11, është thirrje për kujtesë të përhershme.

Mbi 3 mijë jetë të shuara në sulmin e 11 shtatorit 2001, na kthejnë kujtesën e na grishin ndërgjegjen sa e çmuar është liria!

Shkallët e mbijetesës, druri i vetëm i mbijetuar, fotografi të të zhdukurve, një automjet zjarrfikësish përbëjnë një pjesë të ekspozitës së tmerrit nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

E kaluara gërshetohet me të tashmen, dhimbja me krenarinë, kujtesa me të sotmen, jonjerëzorja me njerëzoren.

Mbi të gjitha, flamuri amerikan kudo si shenjë e mbijetesës se Amerika dhe bota civilizuese nuk zbrapsen para qëllimeve dashakeqe të forcave të errëta, të cilat janë kundër lirisë.

Rrëfimi i të birit të një zjarrfikësi amerikan, rrënqethës e frymëzues, njëkohësisht. Ata që janë reaguesit e parë, të parët e panë tmerrin, të parët e ndjenë dhimbjen e disa nga ta u bën pjesë e dhimbjes.

Jetë njerëzish u shuan nga sulmi terrorist, në mesin e të cilëve edhe tre shqiptarë. Mon Gjonbalaj nuk arriti ta gëzoj pensionimin. Të njëjtën ditë në vend të pensionit fitoi  përjetësinë.

Sot nderova kujtimin për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001. Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë dhe partnerë të vendosur kundër terrorizmit dhe çfarëdo forme që cenon lirinë e të tjerëve. Amerika është personifikim i lirisë, ndaj në mbrojtje të saj jemi gjithnjë bashkë! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.