Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca, me Shoqatat e të Pagjeturve të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë dhe me familjarët e masakrës së Mejës, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Mejë të Gjakovës.
Presidentja e vendit ka thënë se jemi sot këtu në radhë të parë për të përkujtuar të gjithë ata që kanë rënë si martirë për lirinë tonë.
“Po ashtu, për të përkujtuar e përsëritur atë që e kemi thënë çdo vit që Meja është Srebrenica e Kosovës, është dëshmia më e fuqishme e gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë e që është kryer nga forcat serbe, nga aparati shtetëror serb, dhe për të kërkuar drejtësi për të gjithë të rënët, e po ashtu zbardhje të fatit të të gjithë të zhdukurve, disa prej të cilëve janë këtu nga Meja, pra ishin vrarë gjatë operacionit shtetëror serb në masakrën e Mejës”, ka thënë Presidentja.
E para e vendit ka thënë se ky është krimi i shumëfishtë i Serbisë i cili kishte filluar me masakrimin e tyre, e kishte vazhduar edhe me tentimin për të humbur gjurmët e këtij krimi të tmerrshëm ndaj qytetarëve të pafajshëm.
“376 djem e burra të pafajshëm u vranë në mënyrën më mizore, u masakruan dhe disa prej tyre u gjetën në varreza në Serbi, në varreza masive, duke treguar kështu krimin e shumëfishtë të Serbisë i cili kishte filluar me masakrimin e tyre, dhe kishte vazhduar edhe me tentimin për të humbur gjurmët e këtij krimi të tmerrshëm ndaj qytetarëve të pafajshëm. 36 nga të vrarët ishin fëmijë, ishin fëmijë nën moshën 18 vjeçare dhe sot i përkujtojmë me dhimbje të madhe së bashku me familjarët me zotimin se institucionet e Kosovës jo vetëm se do ta kenë prioritet zbardhjen e fatit të pagjeturve, por mbi të gjitha drejtësinë për të vrarët e të masakruarit”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka thënë se liria e vendit tonë do të ketë kuptim vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për të gjithë ata të pafajshëm të cilët u vranë nga shteti serb, e për të cilët fatkeqësisht Serbia akoma as nuk ka kërkuar falje, as nuk është penduar e as nuk ka vendosur kriminelët para gjyqit.
“Prandaj, ne këtu nga Meja bëjmë thirrje përbrenda vendit tonë, por e ngrisim zërin që ta dëgjojë e tërë bota, që në Mejë Serbia ka kryer një krim të cilin duhet ta quajmë me emrin e tij të vërtetë, e ai është gjenocid”, ka thënë Presidentja Osmani.