Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën në Kalabri të Italisë, ku ka qëndruar me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.
Në vizitat të cilat i zhvilloi në komunat arbëreshe, Ungër, Frasnitë, Çift, Shën Sofi e Epirit, Maki, Shën Mitër, Vakarici dhe Mbuzat, Presidentja, gjeti mikrpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme arbëreshe.
Ajo ua shprehu atyre mirënjohjen e saj për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e të traditave shqiptare. “Kultura arbëreshe është shtyllë e rëndësishme e kulturës sonë”, tha Presidentja.
Në takimet me kryetarët e këtyre komunave Presidentja Osmani bisedoi për hartimin e projekteve të përbashkëta për kultivimin e mëtejmë të kësaj kulture.
Gjatë qëndrimit në Kalabri, në një ceremoni të veçantë në komunën e Frasnitës, Presidentes Osmani, iu nda çmimi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, nga kryetari i kësaj komune, z. Angelo Catapano. Po në Frasnitë, Presidentja inauguroi sheshin “Kosova”, i cili është emërtuar kështu nga Bashkësia e Frasnitës, në shenjë nderimi për përkushtimin e popullit të Kosovës për liri e vlera qytetëruese.
Gjatë vizitës, Presidentja Osmani mbajti edhe një fjalim në Universitetin e Kalabrisë.
Po kështu, Presidentja Osmani u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi për shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë, si dhe me kryetaren e Provincës së Kozencës, znj. Rosaria Succurro, me të cilën bisedoi për raportet ekonomike, politike e kulturore mes komunave të ndryshme të Kosovës dhe Provincës së Kozencës.
Kjo ishte vizita e parë e Presidentes në viset e banuara me arbëreshë në Republikën Italiane.