Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, në një ceremoni të vecantë të organizuar në Presidencë, duke u mbështetur në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore si Presidente e Republikës së Kosovës dhe Komandante Supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotëri Albin Kurti ka graduar komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Bashkim Jashari në gradën gjenerallejtënant.
“Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari sot është graduar me gradën më të lartë në Republikën e Kosovës. Kjo gradë bart një detyrim të madh, dhe jam e bindur si Presidente e vendit së bashku me qeverinë që e ka bërë këtë rekomandim që me aftësinë tuaj do të udhëhiqni me nder, krenari, respekt dhe integritet një Forcë e cila është ndërtuar mbi një sakrificë të madhe të popullit tonë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani më tej ka theksuar “Namin e familjes suaj, familjes legjendare Jashari, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atyre që ranë për lirinë e vendit tonë dhe uniformën që mbani, reputacionin e ushtrisë profesionale që e kemi ndërtuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtar sipas standardeve të NATO-s, besimin që ne këtu në Presidencë, Qeveria e Kosovës si dhe nënat dhe baballarët e burrave dhe grave në uniformë që ju komandoni bëjnë që të kemi pritshmëri të mëdha, por po ashtu që ju të keni përgjegjësi të madhe”.