Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se femicidi vazhdon të jetë një plagë e hapur, një krizë kombëtare që po gërryen themelet e shoqërisë sonë, ditë pas dite.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Femicidi vazhdon të jetë një plagë e hapur. Jo thjesht një problem. Jo një statistikë. Por, një krizë kombëtare që po gërryen themelet e shoqërisë sonë, ditë pas dite.
Ajo që ndodhi në Gadime të Ulët nuk është thjesht “një rast tjetër”. Një grua, edhe pse e mbrojtur me urdhër aktiv, u sulmua barbarisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj. Kur një urdhër mbrojtjeje mbetet letër, atëherë rreziku bëhet realitet. Dhe realiteti na vret.
Numri i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje po na e thotë troç: letrat nuk shpëtojnë jetë. Zbatimi, vendosmëria, reagimi pa vonesë – po!
Sepse pas çdo shifre fshihet një jetë e thyer, një fëmijë i traumatizuar, një histori që nuk duhet të përsëritet kurrë më.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, apeloj për VEPRIM.
Me përgjegjësi. Me kujdes. Pa asnjë tolerim.
Ashtu siç e kërkon ligji. Ashtu siç e meriton çdo grua dhe vajzë në Republikën e Kosovës.
Çdo hap i gabuar, çdo neglizhencë, çdo vonesë mund të jetë fatale.
Askush që ushtron dhunë nuk duhet të ndihet i paprekshëm.
Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur.
Nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për jetën dhe dinjitetin e grave.
