...

Presidentja Osmani: Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri

Sot, me nderim dhe përulje, kujtojmë 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë për liri.

Më 24 mars 1998, në Gllogjan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejën frontale në këtë zonë, duke u përballur me guxim me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, të cilat kishin rrethuar fshatin dhe në mënyrë të veçantë familjen Haradinaj, e cila u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.

Në atë ditë të lavdishme, ranë për liri dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, duke u bërë përjetësisht pjesë e historisë sonë kombëtare.

Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri. Ajo mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që ta ruajmë dhe forcojmë shtetin, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.