Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, me motivacion për angazhimin e palëkundur në funksion të shëndetit të pacientëve, shpirtit human dhe kontributin e shquar profesional në fushën e pediatrisë dhe hemato-onkologjisë pediatrike, mjekët nga Austria, dr.Wolfgang Schwinger dhe dr. Emir Haxhija.
Sipas Presidentes Osmani angazhimi i këtyre profesionistëve shëndetësorë ka prekur jetën e fëmijëve që luftojnë me kancer dhe leukemi.
“Si onkologë dhe hematologë, ata jo vetëm që kanë demonstruar profesionalizëm të jashtëzakonshëm mjekësor, por mbi të gjitha një humanizëm të pashoq ndaj pacientëve. Këta mjekë kanë dhënë kontribut të çmuar edhe për kolegët e tyre Kosova, të cilët janë trajnuar në Grac të Austrisë”, ka potencuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq, dr. Schwinger dhe dr. Haxhija, kanë falënderuar Presidenten Osmani për dekorimin dhe kanë theksuar se ky nder është motiv shtesë për të vazhduar angazhimin e mëtejmë në sferën profesionale dhe atë humane.