DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Çështja e mbrojtjes së ambientit ka të bëjë me jetën tonë të përditshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në mbjelljen e drunjve në aksin rrugor tek Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin edhe dy bashkëorganizatorët, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Mbjellja e drunjve në këtë aksin rrugor  shënon punën njëvjeçare të bërë në drejtim të mbjelljes se 1 milion drunjve. Aktiviteti i sotëm u realizua në bashkëpunim me sektorin privat, me mbështetjen e kompanisë “Chair Airlines”.

Presidentja Osmani me këtë rast ka thënë se çështja e mbrojtjes së ambientit nuk është një temë luksi, është temë që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme, është temë që ka të bëjë me shëndetin tonë dhe ka të bëjë me tokën dhe vendin që ja lëmë pas fëmijëve të Republikës së Kosovës, gjeneratave të ardhshme, ka të bëjë me ajrin që e thithim çdo ditë.

“Prandaj së bashku me ministrat Peci dhe Aliu kemi ndërmarrë nisma qysh vitin e kaluar për mbjelljen e drunjëve anëekënd Republikës së Kosovës dhe këtë po e vazhdojmë edhe sot me qëllimin që ta iniciojmë edhe fazën e dytë të mbjelljes së drunjve që do të vazhdojmë në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe UNDP-në”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se në këtë fazë të dytë, do të angazhohet edhe mërgata e Republikës së Kosovës e cila deri tani është angazhuar në çdo proces jo vetëm të zhvillimit ekonomik të vendit tonë, por edhe të mbështetjes të çdo familje që jeton në Republikën e Kosovës duke u bërë një shtytëse e jashtëzakonshme e zhvillimit ekonomik të vendit dhe mbrojtjes së ambientit.

“E tani ky kontribut do të vazhdojë edhe në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, sepse duke mbrojtur ambientin ne e mbrojmë edhe shëndetin e të gjithë qytetarëve. Prandaj, duke i ftuar që të gjithë që t’i japim sa më shumë vëmendje mbjelljes së drunjëve, që t’i japim sa më shumë vëmendje gjelbërimit, që t’i japim sa më shumë vëmendje shëndetit të qytetarëve tanë, do të bashkohemi sot në këtë ceremoni të mbjelljes së drunjve këtu në aeroport, sepse siç u tha është vendi apo pamja e parë që e shohin gjithë vizitorët e Republikës së Kosovës, me shpresën e madhe që sa më shumë institucione e sa më shumë qytetarë e organizata të shoqërisë civile dhe natyrisht mërgata jonë do t’i bashkohen kësaj nisme në mënyrë që Kosova të gjelbërohet çdo ditë më shumë e rrjedhimisht edhe kjo të rezultojë me jetë shumë më të mirë e më të shëndoshë për qytetarët”, ka theksuar Presidentja.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.