Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani bisedoi me Mahmoud Bah, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv, dhe Alexia Latortue, zëvendës kryeshefe ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), të cilët e uruan atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës dhe shprehën gatishmërinë për të shtuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për Kosovën.
Presidentja Osmani potencoi se bashkëpunimi me agjencitë shtetërore amerikane si Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit është dëshmi e orientimit strategjik të Republikës së Kosovës për raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja Osmani theksoi se prioritete të institucioneve të Kosovës janë reformat në shuma fusha të qeverisjes që do të mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe sundimin e ligjit.
Drejtuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Bah dhe Latortue, nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe MCC për realizimin e programeve që kontribuojnë në tranzicionin energjetik drejt burimeve të pastra energjetike. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se njëri ndër prioritet kryesore te saj është adresimi i çështjeve mjedisore dhe energjetike ne mënyrë që Kosova të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimit të ndryshimeve klimatike.
Presidentja Osmani dhe drejtuesit e agjencisë qeveritare amerikane, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, u pajtuan që të shtojnë bashkëpunimin gjatë këtij viti drejt finalizimit të programit të ri disavjeçarë të MCC të mbështetjes për Kosovën. Programi i deritanishëm i MCC ka ndihmuar Kosovën në dy fusha të rëndësishme të rritjes ekonomike dhe zvogëlimit te varfërisë përmes realizimit të projekteve për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe promovimit të qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse.