presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Banorët e fshatit Lugishtë do të gjejnë paqen kur autorët të vihen para drejtësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, ka kujtuar sot të rënët në Lugishtë të Hasit 22 vite më parë.

Sipas Presidentes, të vrarët, dëmet materiale dhe të mbijetuarit e Masakrës së Lugishtës përbëjnë fakte të cilat duhet të jenë në funksion të drejtësisë për identifikimin e autorëve të krimit montstruoz.

“Më shumë se dy dekada, asnjë përgjegjësi nga askush. Ndaj, banorët e këtij fshati do të gjejnë paqen kur autorët të vihen para drejtësisë. Një mision i yni që nuk do të ndalojë asnjëherë!”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

22-vjet më parë në Lugishtë të Hasit, Batalioni i Dytë i Brigadës së Motorizuar 549 të Ushtrisë Jugosllave, mizorinë e vetë e tregoi duke ekzekutuar 40 burra, gra e fëmijë. Përgjatë luftimeve ranë edhe 14 dëshmorë të UÇK-së.

Disa nga të vrarët janë konsideruar të zhdukur e më pas janë gjetur në varre masive në Has. Pas identifikimit në shtator të vitit 1999 janë varrosur në varrezat e dëshmorëve e martirëve në këtë fshat.

Përveç 300- shtëpive të dëmtuara, forcat serbe dëmtuan edhe objekte të trashëgimisë shpirtërore.

Të vrarët, dëmet materiale dhe të mbijetuarit e Masakrës së Lugishtës përbëjnë fakte të cilat duhet të jenë në funksion të drejtësisë për identifikimin e autorëve të krimit montstruoz.

Më shumë se dy dekada, asnjë përgjegjësi nga askush. Ndaj, banorët e këtij fshati do të gjejnë paqen kur autorët të vihen para drejtësisë. Një mision i yni që nuk do të ndalojë asnjëherë!

Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Lugishtës! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.