Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për të katërtin vit me radhë, ka dhuruar pakot onkologjike për gratë që janë përballur në betejën me kancerin e gjirit.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Nga dhimbja drejt forcës, nga frika drejt shpresës!
Në Klinikën e Onkologjisë, për të katërtin vit me radhë, i dhuruam pakot onkologjike për gratë që janë përballur në betejën me kancerin e gjirit.
Ky donacion prej 640 pakosh është një mbështetje dhe inkurajim për secilën grua që ka luftuar me dinjitet, e një kujtesë se pas çdo plage ka jetë, shpresë dhe rifillim.
Mbështetja për gratë e prekura nga kanceri nuk është veprim i një dite, por një angazhim i përhershëm për dinjitetin, barazinë dhe shëndetin e tyre! Në këtë kauzë, bashkëpunojmë çdo ditë me shoqatën Jeta/Vita dhe Zonjën Nafije, si dhe me gjithë personelin shëndetësor të cilët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.
Në çdo pako onkologjike ka një mesazh të qartë: Ti nuk je vetëm! Ti je e fortë! Ti mundesh!