Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot Qendrën për Studime Universitare të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Fillimisht ajo u prit nga komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ndërsa më pas mbajti një fjalë para kadetëve të kësaj qendre, si dhe zhvilloi një debat e u përgjigj në pyetjet e kadetëve.Në vijim, fjala e Presidentes Jahjaga para kadetëve:Gëzohem që sot jam në mesin tuaj. Fillimisht për t’iu përgëzuar juve dhe paraardhësit tuaj për punën e palodhshme, për përkushtimin tuaj që e kanë bërë për ngritjen e këtij institucioni qenësor për të ardhmen e Republikës së Kosovës, dhe pastaj për të diskutuar me ju për punën e madhe që po na pret për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.Ju e dini mirë se për çdo institucion që është krijuar në Kosovën e pasluftës se sa sfidues është çdo fillim. I tillë ishte edhe rrugëtimi i qytetarëve tanë për të realizuar ëndrrën e gjeneratave të tëra për të ndërtuar një Kosovë që frymon lirshëm, një shtet i lirë, shtet i pavarur, shtet sovran.Këto sfidave që na dolën përpara ne, si institucione dhe shoqëri, i kemi tejkaluar me një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe. Bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, i krijuam kushtet që ta shpallim Kosovën shtet të pavarur, shtet të lirë dhe shtet sovran. U bëmë ambasadorë të shtetit tonë, duke kërkuar njohjen e tij në katër anët e botës, kontinent më kontinent, shtet më shtet, duke trokitur derë më derë, duke u treguar atyre për të gjitha të arriturat, për të gjitha sukseset që ne i kemi arritur, si shtet, si institucione dhe si qytetarë.E ngritëm kredibilitetin e shtetit tonë si një faktor konstruktiv në forumet rajonale. Morëm vendime të rëndësishme, shtrimë dorën e bashkëpunimit edhe atëherë kur nuk ishte aspak e lehtë. Dhe këtë e bëmë me një qëllim – që Kosovën e lirë, sovrane, të pavarur, ta bëjmë të qëndrueshme, të palëkundur, të konsoliduar plotësisht.Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë shtyllë e këtij rrugëtimi tonë – gjithëpërfshirëse, patriotike, profesionale, shumë e besueshme. Nuk është e rastësishme që sot po e ndërtojmë vizionin i cili do të shtojë obligimet tuaja, sepse si qytetarë të Kosovës, pavarësisht nga prejardhja etnike, ne besojmë në ju dhe në misionin fisnik që ju e keni ndërmarrë për ta mbrojtur Kosovën, për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë.Këtu qëndron edhe suksesi i reformimit dhe profesionalizimit tuaj të mëtutjeshëm. Ai është i garantuar falë guximit, kurajës, durimit dhe zotimit tuaj për ta përmbushur misionin tuaj për një Kosovë paqësore dhe demokratike, për një shoqëri që ka për synim parësor investimin në sigurinë e çdo qytetari të saj dhe ku secili qytetar bashkëpunon me institucione, me besimin se ato ekzistojnë për t’i mbrojtur ata.Me përmbylljen e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë – një proces gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional që analizoi mekanizmat tonë të sigurisë, nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe interesat e orientimet strategjike të shtetit tonë – institucionet e Kosovës arritën te një përfundim për nevojën e krijimit të një force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s synon anëtarësimin në këtë aleancë.Në ditët në vijim, Kuvendi i Kosovës do të diskutojë ndryshimet kushtetuese që lidhen me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Si në çdo demokraci, edhe te ne ky proces nuk ka kaluar pa kundërthënie. Dhe në këtë kontekst, dua t’ua rikujtoj të gjithëve se ky proces duhet të përmbyllet me formimin e forcës tonë mbrojtëse. Krijimi i Forcave të Armatosura është domosdoshmëri dhe ky opsion nuk ka alternativë. Kjo forcë është e Kosovës, për Kosovën. Kosova do ta ketë forcën e vet mbrojtëse, e cila do ta kompletojë konsolidimin tonë si shtet dhe do të bëhet kontribuuese e sigurisë kolektive të Evropës.Ju kadetë do të jeni jo vetëm përfituesit e trajnimeve dhe shkollimit profesional me standarde të NATO-s, por edhe shtylla e Forcës tonë të Armatosur. Jam shumë krenare për arritjet tuaja dhe me padurim pres ditën kur ju do ta integroni Kosovën në Aleancën Veriatlantike.