Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga uroi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani, dhe Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha, pas vendimit të Komisionit Evropian që rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Në telegramin dërguar Presidentit Nishani thuhet: I nderuar President Nishani, Kam nderin t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për vendimin e Komisionit Evropian që rekomandoi marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në këtë vit historik për Republikën e Shqipërisë, qytetarët e saj po festojnë 100 vjetorin e pavarësisë dhe rrugën e tyre të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në familjen e popujve të barabartë Evropian. Ju përgëzoj për punën dhe angazhimin tuaj dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për ta çuar vendin përpara dhe progresin më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare në vitet e demokracisë. Ky vendim ka dhe një simbolik të veçantë në 100 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, pasi i përkon vizionit Evropian të shtetit shqiptar dhe përpjekjeve të të parëve për të qenë pjesë e popujve të lirë evropianë. Jam e sigurt që nën udhëheqjen Tuaj, Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt prosperitetit, zhvillimit ekonomik, konsolidimit të demokracisë. Duke Ju uruar dhe një herë, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta. Ndërsa, në telegramin drejtuar Kryeministrit Sali Berisha thuhet: I nderuar Kryeministër Berisha, Kam nderin e veçantë t’ju shpreh urimet e mia, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për vendimin e Komisionit Evropian që rekomandon marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky vendim historik, që vjen në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kristalizon përpjekjet e pareshtura të popullit shqiptar për t’u integruar në familjen e madhe Evropiane. Ky është hapi më i rëndësishëm i rrugës së qartë Evropiane të Shqipërisë, që e çon vendin drejtë anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ju uroj për punën dhe përkushtimin e qeverisë tuaj dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe angazhimin e gjithë qytetarëve të saj, për t’i përfunduar reformat dhe përmbushur kriteret e nevojshme, për ta bërë Shqipërinë të barabartë me shtetet më të avancuara të Evropës. Ky vendim është i një rëndësie të madhe pasi ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, konsolidimin e demokracisë dhe ofrimin e mundësive të reja për qytetarët e Shqipërisë. Jam e sigurt që qeveria juaj do të vazhdojë me përpjekjet maksimale që Shqipëria të ec përpara dhe të jete një shembull i mirë në të gjithë rajonin. Duke Ju uruar dhe një herë, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta.