Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA dhe nga konzullja e përgjithshme e Kosovës në New York, zonja Arta Rama, u takua në New York me zëvendësshefen e misionit të SHBA-së në OKB, ambasadoren Rosemary DiCarlo.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadorja Di Carlo biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimeve, konsolidimin e shtetësisë dhe atë të njohjeve të reja si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga dhe ambasadorja DiCarlo gjithashtu folën edhe për sfidat e Kosovës e në veçanti ato në tri komunat në veri të vendit.Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se zbatimi i Planit Ahtisaari është zgjidhja më e mirë për tri komunat në veri, që ofron dhe garanton të drejtat dhe liritë për komunitetin serb në këtë pjesë të vendit dhe theksoi nevojën e integrimit të tyre në institucionet e vendit. Ajo tha se zbatimi i sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me theks të posaçëm në tri komunat në veri, garanton stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm.Presidentja Jahjaga theksoi se është e rëndësishme pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare veçanërisht në fushën e sigurisë.Zëvendsshefja e misionit të SHBA në OKB, ambasadorja Rosemary DiCarlo, vlerësoi të arriturat dhe përparimin e Kosovës në të gjitha fushat dhe theksoi se është me rëndësi që Kosova të mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike. Ajo tha se SHBA-ja përkrah Kosovën në të gjitha fushat dhe u angazhua për pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale dhe ndërkombëtare, posaçërisht në ato që organizohen në kuadër të OKB-së.