Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, zonjën Christine Lagarde, në selinë e këtij institucioni në Washington.
Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e FMN-së për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme dhe programet e këtij institucioni financiar, së bashku me ato të partnerëve të tjerë, kanë mundësuar arritjen dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin si dhe qëndrueshmërinë financiare. Ajo tha se nënshkrimi i marrëveshjes stand by me FMN-në do të ndihmojë në përkrahjen e programeve ekonomike të Kosovës që do të mundësojë qëndrueshmërinë fiskale duke mbështetur mekanizmat dhe politikat e nevojshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe gjithashtu po dëshmon stabilitet fiskal. Ajo tha se mbështetja e vazhdueshme e FMN-së për Kosovën është e rëndësishme për të rritur zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të krijuar mjedis më të favorshëm për investime. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin e tyre duke krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe politik që mundëson procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ajo tha se institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në miratimin e ligjit për bankat dhe mikrofinancat. Presidentja Jahjaga dhe zonja Lagarde biseduan edhe për konferencën ndërkombëtare për rolin e gruas në shoqëri, që do të mbahet në Prishtinë. Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde duke e mirëpritur vizitën e presidentes Jahjaga në selinë e institucionit që drejton, tha se FMN-ja dhe Kosova po shënojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme . Ajo tha se Kosova në aspektin teknik është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale. Ajo theksoi se FMN-ja do të vazhdojë ndihmat për Kosovën në projekte të ndryshme dhe u interesua edhe projektet në fushën e energjetikës. Zonja Lagarde theksoi se nismat rajonale janë të rëndësishme meqë do të mundësonin zhvillimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR