presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u prit në Kongresin amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington. Ajo takoi në Kapitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.

Presidentja Jahjaga falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dhënë për Kosovën. Ajo theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan. Presidentja Jahjaga njoftoi kongresistët për reformat e brendshme, konsolidimin e demokracisë së Kosovës dhe forcimin e sovranitetit. Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit. Presidentja Jahjaga gjithashtu informoi kongresistët me rrjedhën e dialogut për  normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog. Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presidentja theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë luftë duke u bërë shembull në rajon. Kongresistët falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit. Ata ritheksuan përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspirata e saja euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.