DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti zëvendësministrin e jashtëm të Japonisë, Kazuyuki Hamada

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendësministrin (parlamentar) të punëve të jashtme të Japonisë, Kazuyuki Hamada.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi sukses të përbashkët përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe çmoi rolin e deritanishëm të Japonisë në zhvillimet në vendin tonë. Ajo theksoi se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët e saj dhe ka dëshmuar se është shembull i paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Presidentja Jahjaga theksoi se pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosova do të fillojë një kapitull të ri të shtetndërtimit ku rol shumë të rëndësishëm ka mbështetja e shteteve mike, sidomos në sferën e zhvillimit ekonomik. Ajo çmoi përkrahjen e Japonisë për Kosovën, jo vetëm përmes ndihmës së drejtpërdrejtë financiare për rindërtimin e infrastrukturës, por edhe ndihmën politike në lobim për rritjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtete e ndryshme të botës. Zëvendësministri (parlamentar) i punëve të jashtme  i Japonisë Kazuyuki Hamada, theksoi se, përkundër sfidave me të cilat po përballet si shtet i ri, Republika e Kosovës po shënon progres në ndërtimin e institucioneve të vendit  dhe ofroi mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në këtë drejtim. Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë dëshmuar se janë të përkushtuara për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm jo vetëm në rajon por edhe në aspektin global. Presidentja Jahjaga dhe zëvendësministri  Hamada u pajtuan se bashkëpunimi midis Japonisë dhe Kosovës duhet të intensifikohet në interes të të dyja vendeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.