Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot një delegacion të Universitetit të Prishtinës, të udhëhequr nga rektori i Universitetit dr. Mujë Rugova. Rektori i Universitetit, dr. Mujë Rugova, e përgëzoi presidenten për zgjedhjen në krye të vendit. Ai tha se Universiteti i Prishtinës po punon për ofrimin e mundësive më të mëdha dhe më të mira për të gjithë studentët e tij.
Presidentja Jahjaga e falënderoi delegacionin e UP-së dhe shprehu përkrahjen e saj të vazhdueshme për punën e profesorëve dhe të studentëve. Ajo tha se Universiteti i Prishtinës për disa dekada të ekzistimit të tij ka funksionuar si qendër e arsimit akademik dhe kërkimeve shkencore, por edhe si shkollë e institucion i qëndresës dhe mbijetesës së popullit të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se Universiteti vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës. Ajo tha se investimi në arsim, në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë, si dhe kujdesi i posaçëm për shkencat ekzakte, do ta ndihmojë këtë zhvillim.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN