presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti Kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot Kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi. Zotëri Kabashi e njoftoi presidenten me punën e prokurorisë dhe me angazhimin e prokurorëve për shtimin e efikasitetit të punës.

Ai tha se ka filluar të rritet besimi i qytetarëve në institucionin e prokurorisë dhe të gjyqësisë, me shtimin e transparencës të sistemit të drejtësisë në tërësi.

Zotëri Kabashi tha se prokuroria është duke punuar me përkushtim, posaçërisht në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai tha se bashkëpunimi ndërmjet policisë, prokurorisë dhe gjykatave është duke u rritur.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se puna e prokurorisë është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij, si dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe drejtësi.

Ajo tha se prokuroria si hallkë e rëndësishme e sistemit juridik është në funksion të vendosjes së marrëdhënieve në shoqëri, meqë duke e luftuar krimin u krijohet hapësirë qytetarëve për jetë të qetë dhe të sigurt. Presidentja theksoi se niveli i demokracisë, arritja e standardeve evropiane, varet edhe nga puna e prokurorisë.

Presidentja tha se me punën e saj, si garantuese e sistemit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, angazhohet për krijimin e parakushteve për një punë të suksesshme dhe efikase të prokurorisë.

Ajo tha se prokuroria duhet të jetë me aktive duke dhënë kontributin e saj gjatë hartimit të ligjeve.    
 

This site is registered on wpml.org as a development site.