DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti ish të dërguarin e OKB-së për statusin e Kosovës, zotëri Albert Rohan

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ish të dërguarin e OKB-së për statusin e Kosovës, zotëri Albert Rohan, i shoqëruar nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, zotëri Johann Brieger.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Rohan biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset e integrimit nëpër të cilat po kalon vendi, marrëdhëniet ndërfqinjësore në rajon dhe ato me BE-në si dhe për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe për angazhimin e zotëri Rohan në grupin “Miqtë e Kosovës”. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po shënon përparim në proceset integruese dhe se me marrjen e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës dhe BE-ja kanë hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ajo tha se Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton të drejtat e barabarta për qytetarët e të gjitha komuniteteve. Ish i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, zotëri Albert Rohan, theksoi se Kosova ka shënuar përparime në fusha të ndryshme por tha se ajo duhet të ndërmarrë hapa të nevojshëm në zbatimin e plotë të Planit Ahtisaari, në veçanti në tri komunat në veri të Kosovës, për përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.