DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti ambasadorin e Japonisë, Shigeo Iwatani

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë, jorezident për Kosovën, Shigeo Iwatani.

Ambasadori Iwatani shprehu konsideratën e tij për punën e Presidentes Jahjaga në prezantimin e vendit dhe vlerësoi të arriturat e deritashme të Kosovës. Ambasadori Iwatani shprehu mirënjohjen e tij dhe të vendit të tij për mbështetjen që Kosova i ka dhënë Japonisë në periudhën e tragjedisë, pas tërmetit dhe cunamit që goditi këtë vend në mars të këtij viti. Ai tha se Kosova është një vend i rëndësishëm në rajon dhe theksoi se stabiliteti i vendit ka një rëndësi të madhe për gjithë Ballkanin Perëndimor. Ambasadori japonez tha se vendi i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në fusha të ndryshme dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës, edhe përmes promovimit të investimeve japoneze. Ai tha se është me rëndësi që të promovohet miqësia mes dy vendeve dhe theksoi se Presidentja Jahjaga është e mirëpritur për të vizituar Japoninë me qëllim të forcimit të marrëdhënieve mes Japonisë dhe Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi ambasadorin Iwatani për ndihmën që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës dhe vlerësoi bashkëpunimin jo vetëm në fushën politike por edhe në atë ekonomike dhe kulturore. Ajo tha se është e inkurajuar që Japonia po i tejkalon vështirësitë dhe pasojat që la tërmeti i rëndë në këtë vend, i cili mori jetët e shumë njerëzve dhe shkatërroi pasurinë e qytetarëve. Ajo tha se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Japonisë është e palëkundur dhe theksoi se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve posaçërisht në fushën e ekonomisë është i një rëndësie të madhe.Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës është dëshmuar të jetë faktor stabiliteti në rajon dhe theksoi se synim dhe qëllim i Kosovës është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike, në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale. Ajo tha se Kosova ka nevojë për njohje të mëtejme të pavarësisë së saj, posaçërisht në kontinentin e Azisë dhe vlerësoi angazhimin e Japonisë në këtë fushë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.