DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “La Citta Interetnica” në Romë

– Gjatë punimeve të konferencës, Presidentja Atifete Jahjaga u takua me z.Ban Ki Mun dhe Presidenten e Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, të cilët e përshëndetën pjesëmarrjen e saj në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare

Romë, 1 qershor 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Italisë, me ftesë të Presidentit Giorgio Napolitano, mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “La Citta Interetnica” (“Qyteti ndëretnik”), që i zhvilloi punimet sot në Romë.

Në konferencë, që u drejtua nga kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno, morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, kryetarja e Konfederatës së Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, nënkryetarja e Senatit të Italisë, Ema Bonino e zyrtarë të tjerë të lartë.

Gjatë punimeve të konferencës, Presidentja Atifete Jahjaga u takua me z.Ban Ki Mun dhe Presidenten e Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, të cilët e përshëndetën pjesëmarrjen e saj në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim, i cili u mirëprit nga të gjithë të pranishmit.

Në vijim po ju sjellim fjalimin e plotë të Presidentes Jahjaga:

Z. President,

Z. Sekretar i Përgjithshëm,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Bota sot është më e integruar dhe më e unifikuar se kurrë më parë. Zhvillimi teknologjik dhe, sidomos komunikimi, e bëjnë të mundur që ne të gjithë, në të njëjtën kohë, të jemi të informuar për çdo ngjarje dhe të kemi qëndrim individual dhe të koordinuar në lidhje me të. Njerëzit në mbarë botën, më shumë se kurrë, mbështeten në të njëjtat vlera dhe parime, ku ata vihen në një pozitë më të mirë për të bërë dallimin në mes të mirës dhe të keqes.

Sot, në një mënyrë të paparë, njerëzit ngrenë zërin e tyre dhe ballafaqohen me politikat e shtypjes dhe të represionit dhe kërkojnë mundësi të barabarta, liri dhe jetë të dinjitetshme. Ne i ndjejmë të gjitha problemet e globit si të jenë tonat, ndërkohë që jemi të angazhuar në zgjidhjen e tyre pavarësisht se ku jemi.

Të gjithë ne këtu sot ndajmë të njëjtën përgjegjësi, pa marrë parasysh nëse ne përfaqësojmë shtete apo organizatat globale, sepse, si një pjesë e udhëheqjes globale, ne kontribuojmë në formësimin e ardhmërisë së botës tonë dhe të jetës së qytetarëve tanë.

Republika e Kosovës është shteti më i ri në Evropë, një vend shumetnik. Njohja e pavarësisë nga 75 vende dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, është një favor për multietnicitetin në nivel kombëtar dhe lokal. Atë që Kosova ka arritur sot vjen nga vullneti i popullit të saj dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtat dhe liritë më të larta individuale dhe kolektive, duke parashikuar një sërë mekanizmash që bëjnë të mundur mbrojtjen e interesave jetike për secilin komunitet etnik.

Të gjitha komunitetet në Kosovë kanë ulëse të garantuara në Parlament dhe në Qeveri. Pjesëmarrja në qeverisje nga të gjitha grupet etnike dhe përfaqësuesit e të gjitha feve dhe kulturave të ndryshme, përfaqëson qëndrimin dhe pikëpamjet, të cilat, duke qenë të ndryshme, janë të inkorporuara në ligjet e Kosovës dhe janë zbatuar duke ndihmuar të gjithë të përmbushin nevojat dhe qëllimet politike individuale dhe kolektive.

Procesi i decentralizimit ka krijuar komuna të reja, ku më shumë se një e katërta e komunave të Kosovës janë me shumicë të pakicave etnike, me një vetëqeverisje të fortë në nivel lokal. Ky proces i suksesshëm ka ndihmuar në integrimin e pakicave brenda institucioneve të Kosovës, duke e ruajtur identitetin e tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Historia e Kosovës është e dhimbshme dhe ne nuk duam që ajo të përsëritet. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë do ta ndjejnë veten në shtëpi dhe në të cilën të gjithë do të ndjejnë përgjegjësinë për arritjet e vendit të tyre.

Gjatë shekujve, njerëzit me prejardhje të ndryshme kanë bashkëjetuar me njëri-tjetrin, kanë jetuar së bashku, por gjithashtu në periudha të ndryshme kohore kanë konfrontuar njëri-tjetrin duke lënë pasoja për të gjithë.

Konfliktet në ish-Jugosllavi kanë shkaktuar dhimbje dhe shkatërrim. Në thelb të konfliktit ishte ideologjia etnocentrike, qëllimi i së cilës ishte krijimi i shtetit monoetnik, ku një grup i vetëm etnik do të dominonte mbi të tjerët. Ne na vjen mirë që ideologjia ishte mposhtur, nga mobilizimi i pashembullt dhe ndërhyrja e unifikuar e bashkësisë ndërkombëtare.

Vendi im dhe qytetarët e tij, po ashtu, kanë vuajtur. Por, ne nuk i kuptojmë propozimet dhe kërkesat për ndarje të reja të territorit ekskluzivisht përgjatë vijave etnike, të cilat në thelb janë një përplasje e ideologjisë së të kaluarës me vlerat evropiane dhe ndërkombëtare të së sotmes. Ne të gjithë i themi jo këtij opsioni. Së bashku me Bashkimin Evropian, ne jemi duke punuar në forcimin e demokracisë dhe vlerave evropiane në Republikën e Kosovës, për mirëqenien e njerëzve dhe perspektivave të tyre për një jetë më të mirë dhe të lirë.

Zonja dhe zotërinj,

Procesi i pajtimit nganjëherë është i ngadaltë dhe i vështirë, por të gjithë janë të vetëdijshëm se nuk ka alternativë tjetër dhe mësimet nga e kaluara duhet të mbahen mend që mos të përsëriten sërish.

Kosova si shtet, duke përdorur përvojat e të tjerëve, ka krijuar një numër të mekanizmave dhe praktikave për të avancuar të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe të drejtat e komuniteteve, duke marrë parasysh politikat gjuhësore, kultivimin e kulturës, mbrojtjen e traditës së dhe monumenteve kulturore-historike. Në tërë territorin e Kosovës gjuhët shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare, ndërsa gjuha turke gjithashtu është në përdorim në nivel lokal. Sot komunikimi mes të rinjve tanë është në anglisht. Kjo ka krijuar mentalitetin e ri që dygjuhësia e vjetër e njëri-tjetrit është zëvendësuar me dygjuhësinë e gjuhës amtare, me atë angleze.

Kjo ndikon që njerëzit të mos emigrojnë nga mjedisi i tyre, por të ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre.

Në Kosovë toleranca fetare ka ekzistuar për shekuj me radhë. Objektet fetare janë ndërtuar pranë njëra-tjetrës ashtu siç kanë jetuar njerëz së bashku, duke respektuar ritet dhe traditat e njëri-tjetrit. Sot, ne shpresojmë të shohim së shpejti një dialog në mes të liderëve fetar, të cilët do të thellonin mirëkuptimin dhe tolerancën e ndërsjellë, si një kontribut për pasurimin e diversitetit të Kosovës.

Shkëlqesi,

Në rrugën e tyre drejt lirisë, demokracisë, mundësive të barabarta dhe një shteti shumetnik, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë pasur shumë miq të cilët i kanë mbështetur  përgjatë rrugës. Do ta  shfrytëzoja këtë mundësi që të falënderoj Kombet e Bashkuara, dhe misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, për ndihmën në rindërtimin e vendit tim, kthimin e refugjatëve, pajtimin dhe ndërtimin e institucioneve. Ky mision gjithashtu kishte shërbyer edhe në ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe tek njëri-tjetri. Sot, OKB-ja monitoron progresin e Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian na ndihmon në forcimin e sundimit të ligjit, duke sjellë praktikat më të mira evropiane.

Kosova pajtohet me idealet e larta dhe parimet e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, tolerancën dhe diversitetin, që udhëzojnë demokracitë e tjera. Sidoqoftë, toleranca dhe diversiteti janë vlera që nuk mësohen vetëm brenda një komuniteti, por edhe duke bashkëvepruar dhe komunikuar me komunitetet e tjera. Dimensioni i zhvillimit teknologjik dhe globalizmi ka një ndikim në transformimin e shoqërive ndëretnike duke u dhënë atyre karakteristikat që lëvizin drejt integrimit dhe konkurrencës me gjuhën e komunikimit.

Shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare, si pjesa më aktive e asaj që ne e quajmë “Fshati Global”, janë një aktor thelbësorë në ndërtimin e një ndëretniciteti, multikulturalizmi dhe integrimi të nivelit global. Shoqëria civile sjell vlera unike globale, i tejkalon dallimet vendore dhe nuk njeh kufij.

Zonja dhe zotërinj,

Një qytet ndëretnik duhet gjithashtu të jetë një qytet i mundësive të barabarta, dhe në veçanti, një qytet i barazisë gjinore. Një shoqëri do të duhej t’i japë mundësi gjysmës së popullsisë së saj, për të mundësuar përparim në tërësinë e saj. Jam krenare që gratë përbëjnë gati një të tretën e ulëseve në Parlamentin e Kosovës dhe janë në pozicione kyçe në institucionet tona shtetërore.

Është mbresëlënëse të shihet roli i femrave në transformimin e vendeve dhe shoqërive të Afrikës Veriore dhe Lindjen e Mesme. Ato qëndruan krah për krah me burrat në përmbysjen e autoritarizmit si një koncept i regjimit. Pjesëmarrja e tyre në këto beteja për demokraci ka krijuar baza të reja për tranzicionit demokratik, i cili gjithashtu do të sigurojë barazinë gjinore shumë të nevojshme. Kjo është një mundësi historike për botën demokratike për të ndihmuar atë që mund të bëhet vala e dytë e “zgjerimit të demokracisë”, pas rënies së Murit të Berlinit.

Shkëlqesi,

Republika e Kosovës është e përkushtuar për vlerat e paqes, tolerancë, pranim, gjithëpërfshirje dhe dialog. Megjithatë, ne përballemi me një numër sfidash të cilët rrjedhin nga tranzicioni jonë i vonshëm dhe arritjet e vonuara të shtetit, si dhe nga problemet me Serbinë fqinje.

Sot qytetarët e Kosovës ndjekin një jetë të lirë dhe të sigurt, të mbrojtur me ligj, me përparim dhe prosperitet individual dhe të përbashkët. Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri të bazuar në respektimin e lirive individuale, me pjesëmarrjen e qytetarëve në vendim-marrje dhe ofrimin e shërbimeve për komunitetet në gjuhën e tyre amtare. Ne mbështesim dialogun ndër-fetar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Kosova do të vazhdojë të kontribuojë në besimin në mes të komuniteteve dhe kombeve, për të kuptuar dhe pranuar njëri tjetrin, dhe mbështetur ndjenjën e identitetit dhe përkatësisë.

This site is registered on wpml.org as a development site.