Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në hapjen e Olimpiadës Matematike të Kosovës.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga mbajti një fjalë para të pranishmëve, të cilën po ua sjellim në vijim : Ta dashur nxënës, Të nderuar prindër, mësimdhënës, e mysafirë, Të nderuar anëtarë të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Kam kënaqësinë të jem sot në mesin tuaj. Matematika është një botë e veçantë dhe misterioze për shumë kë. Por, është edhe art i bukur e universal qe nuk njeh kufij. Sot, ju do të sprovoni aftësitë dhe njohuritë tuaja, e kështu do te zgjeroni dhe me tej horizontin e diturisë dhe përvojës tuaj. Puna që e keni bërë për të arritur këtu, dhe ajo që ju pret ne te ardhmen, e përparon dhe e avancon kreativitetin tuaj. Matematika si shkence ekzakte dhe teknologjia, do t’i shërbej zhvillimit të përgjithshëm të vendit tonë dhe besoj fuqimisht qe ju do jeni pjese e këtij zhvillimi. Unë e vlerësoj lartë punën vullnetare të profesorëve dhe studentëve për organizimin e kësaj Olimpiade. Ky është një shembull se forca e besimit e tejkalon forcën e inercionit. Kjo Olimpiadë përveç te tjerash tregon, konsistencën dhe përkushtimin tuaj te pandalshëm. E di që ju po prisni me padurim t’i zgjidhni detyrat dhe të hyni në test. Prandaj, për t’ua lënë radhën juve, kam kënaqësinë ta shpall të hapur Olimpiadën! Ju uroj sukses në garë! Ju uroj suksese edhe në Olimpiadën Ndërkombëtare duke pasur mbështetjen dhe përkrahjen time te vazhdueshme! Dhe meqë kjo Olimpiadë e juaja organizohet në ditën kur po shënojmë 13 vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s më lejoni të them se: Qytetarët e Republikës së Kosovës shprehin falënderimet e thella për gjithë angazhimin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR në Kosovë që ndihmoi në ringritjen dhe ri ndërtimin e vendit. Ju faleminderit!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR