presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga flet për pozitën e gruas në Kosovë në konferencën e Vilniusit

Vilnius, 1 korrik 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të konferencës “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, ishte paneliste në sesionin “Luftimi i dhunës kundër grave dhe trafikimit me qenie njerëzore”. Në këtë sesion, paneliste ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave në të gjitha nivelet e shtetit mbetet një sfidë. Fuqizimi i grave për çdo shtet është kontribut në forcimin e demokracisë dhe prosperitetit në çdo vend. Mbesin mjaft sfida që në mënyrë substanciale të rritet pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, si dhe për bërjen e demokracisë një nocion të afërt për të gjithë qytetarët.

Shteti im ka kaluar në një sërë procesesh, duke filluar nga lufta, periudha e pasluftës, si dhe tranzicioni, deri në shtetësinë e plotë. Në proceset e tanishme të shtetndërtimit, ende me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar, kemi treguar vullnet dhe gatishmëri për të ngritur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në të gjitha proceset e vendimmarrjes, vijoi Presidentja Jahjaga.

Ne kemi respektuar një numër të dokumenteve dhe të standardeve ndërkombëtare për të konfirmuar se gratë, si gjysma e popullsisë, e kanë vendin e duhur në proceset e shtetndërtimit të Kosovës. Për më tepër rezoluta 1325 e KB për gratë, paqen dhe sigurinë është një shembull i politikave dhe strategjive që kemi përdorur për të rritur pjesëmarrjen e grave. Bashkëpunimi dhe përkrahja nga ana e grupeve të grave të Kosovës ka qenë qenësore në përpjekjet e shtetit tim për të realizuar aspiratat e veta demokratike, tha Presidentja Jahjaga.

Për shembull, ekzistimi i kuotës prej 30 për qind ë nivelin komunal dhe në nivelin qendror, dy zëvendëskryeministre dhe dy ministre ferma, emërimi i kryenegociatores në dialogun  teknik Serbi-Kosovë tregojnë aspiratat demokratike që ka shteti i Kosovës, tha ajo, duke shtuar se demokracia është nocion kontradiktor nëse nuk është e plotë me përfaqësimin e të gjithë qytetarëve të një shteti.

Presidentja Jahjaga tha në vijim se në realizimin e këtyre qëllimeve tona kanë ekzistuar dhe ekzistojnë një sërë sfidash. Ekzistimi i dhunës ndaj grave edhe në Kosovë nuk është rregull përjashtuese nga shtetet e tjera. Në luftimin e dhunës ndaj grave, kemi zhvilluar një numër të mekanizmave ligjorë dhe institucionalë, duke i harmonizuar ato me standardet evropiane, meqë synojmë t’i bashkangjitemi vlerave të familjes evropiane.

Natyrisht lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore nuk është një detyrë e lehtë, meqë shteti i mbetet ende i izoluar në luftimin e këtij krimi transnacional, duke mos qenë pjesë e marrëveshjeve apo institucioneve regjionale të organeve për zbatimin e ligjit, theksoi Presidentja Jahjaga.

Mirëpo, lënë anash këto, kemi praktika të mira që të ofrojmë në sfondin e krijimit të mekanizmave institucionalë sikurse ekzistimi i njësiteve të veçanta për luftën kundër trafikimit, pranë organeve për zbatimin e ligjit; njësitet për mbrojtjen e viktimave, pranë organeve të drejtësisë, si dhe ofrojmë përkrahje institucionale dhe strehim për viktimat.

Ekzistojnë disa strategji dhe kemi treguar vullnet në ofrimin e përkrahjen njerëzore dhe financiare për të ndihmuar viktimat.

Sfidë në krejt këtë mbeten ende kushtet ekonomike që i ka Kosova, që nuk ka trajtim të posaçëm as ndaj viktimave, duke kufizuar mundësitë e individëve për alternativa të zgjedhjes, tha nder të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në përmbyllje të konferencës “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira, nga organizatorët, në konkluzione, Kosova u përmend si shembull i mirë për përfaqësimin e femrave në Kuvendin e Kosovës, si dhe për legjislacionin për luftimin e dhunës kundër fermës dhe kundër trafikimit me qeniet njerëzore.

This site is registered on wpml.org as a development site.