presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga dhe Ambasadori Dell nënshkruan Marrëveshjen Bilaterale

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, nënshkruan sot në një ceremoni organizuar në Kabinetin e Presidentes së Kosovës, Marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse Bilaterale në mes të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.

Marrëveshja përfshin bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja, ruajtjen e diversitetit të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore, si dhe mbështetjen për angazhimin e shoqërisë civile në zhvillimin e komunitetit.
 
Marrëveshja Bilaterale i jep edhe një shtysë të mëtejme partneritet të fuqishëm mes Kosovës dhe SHBA, të zhvilluar një kohë të gjatë. Ajo i hap rrugën një bashkëpunimi më të theksuar strategjik në fushën e ekonomisë dhe përfshin fusha specifike.
 
SHBA në vazhdimësi kanë ndihmuar të gjithë sektorët në Republikën e Kosovës, në rrugën e saj të zhvillimit në një shtet të fuqishëm demokratik, me ekonomi të zhvilluar dhe me institucione që sigurojnë qeverisje demokratike, që përkrahin zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.
 
Republika e Kosovës ka mirëpritur në vazhdimësi ndihmën e SHBA-ve në të gjitha fushat e jetës dhe bashkëpunimin me SHBA e sheh me interes jetik në realizimin e qëllimeve të ndërtimit të një shteti funksional, me synimin për integrimin sa më të shpejtë në të gjitha nismat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe anëtarësimin sa më të shpejtë në institucionet euro-atlantike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.