Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca, i kanë hapur dyert e Kuvendit dhe të Presidencës për dhjetëra fëmijë
Presidentja Osmani tha se përveçse ndanë me ne pak nga bota e tyre, ata e shijuan pamasë prezencën e njëri tjetrit dhe dashurinë e dashamirësinë që ndjehej në çdo cep.
Gjatë ditës, Presidentja Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti, iu bashkëngjitën fushatës “Bëhu mburoja ime”, të organizatës HANDIKOS, e cila ka për qëllim të promovojë raportimin e dhunës ndaj fëmijëve.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Me vizatim, muzikë, e vallëzim, por mbi të gjitha, me shumë fytyra të buzëqeshura, e shënuam sot Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca, i kemi hapur dyert e Kuvendit dhe të Presidencës për dhjetëra fëmijë. Përveçse ndanë me ne pak nga bota e tyre, ata e shijuan pamasë prezencën e njëri tjetrit dhe dashurinë e dashamirësinë që ndjehej në çdo cep.
Jo çdo ditë është e tillë për ta, e po ashtu, jo çdo fëmijë përjeton rregullisht kaq shumë gëzim e hare. Varfëria te fëmijët, mbrojtja sociale e tyre, investimi në rritjen e cilësisë në arsim, si dhe në zhvillimin e edukimit të hershëm dhe parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve, janë çështje të cilat kanë nevojë për vëmendjen tonë të plotë. Këto çështje do ta kenë vëmendjen tonë të plotë – Fëmijët do ta kenë vëmendjen tonë të plotë!
Po ashtu, së bashku me Kryeministrin, z. Albin Kurti, iu bashkëngjitëm fushatës “Bëhu mburoja ime”, të organizatës HANDIKOS, e cila ka për qëllim të promovojë raportimin e dhunës ndaj fëmijëve.
Do të vazhdojmë me takime, mbështetje të kampanjave, e aktivitete të tilla, deri kur vizatimi, muzika, vallëzimi e buzëqeshja të jenë pjesë e përditshmërisë së çdo fëmije në vendin tonë! Ky është vetëm fillimi!