DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Duhet të krijojmë siguri maksimale për vajzat e djemtë tanë kudo që ndodhen ata: në rrugë apo në shkollë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas ngacmimit seksual të vajzës së mitur nga disa fëmijë poashtu të mitur.

E para e vendit ka thënë se fatkeqësisht, është një pasqyrë e trishtë e një situate të rëndë në shoqërinë tonë.

 
Presidentja Osmani ka shtuar se rasti i ngacmimit seksual të vajzës së mitur nga disa fëmijë poashtu të mitur, shpërfaqë nevojën urgjente të adresimit të çështjes së sigurisë për nxënësit e fëmijët në çdo rrethanë e çdo ambient.

 
“Sot kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci, të cilët më kanë siguruar që me prioritet dhe profesionalizëm po e trajtojnë rastin në fjalë”, ka thënë Presidentja Osmani.

 
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes:
 

 

Nuk është vetëm një rast i izoluar i ngacmimit seksual! Fatkeqësisht, është një pasqyrë e trishtë e një situate të rëndë në shoqërinë tonë.

Prindër të dashur,

Është koha e fundit të luftojmë mendësinë ku vajzat vazhdimisht ngacmohen e rriten me idenë që duhet të mbrohen, të kenë kujdes, e të privohen. Tani, si kurrë më parë, është koha të edukojmë djemtë tanë të trajtojnë motrat e shoqet e tyre të klasës si të barabarta me ta, e me respektin dhe dashurinë që ato e meritojnë.

Rasti i ngacmimit seksual të vajzës së mitur nga disa fëmijë poashtu të mitur, shpërfaqë nevojën urgjente të adresimit të çështjes së sigurisë për nxënësit e fëmijët në çdo rrethanë e çdo ambient.

Sot kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci, të cilët më kanë siguruar që me prioritet dhe profesionalizëm po e trajtojnë rastin në fjalë.

Është përgjegjësi e jona kolektive për të punuar me ngulm që raste të tilla të mos përsëriten. Ne duhet të krijojmë siguri maksimale për vajzat e djemtë tanë, kudo që ndodhen ata: në rrugë, apo në shkollë. Siguria për ta është investim në të ardhmen e tyre.

Siguria, mirëqenia, dhe e drejta e tyre për një fëmijëri të qetë pa dhunë e në mirëqenie, duhet garantuar në çdo rrethanë dhe me çdo kusht!  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.