DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi takime të veçanta me liderët e partive politike parlamentare

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ftuar në takime të veçanta liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar për zhvillimet pas mbajtjes së seancës së sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në takime të veçanta kanë marrë pjesë udhëheqësit e PDK-së, me kryetarin Hashim Thaçi, të Listës Serpska, të udhëhequr nga zotëri Sllobodan Petrovic, të grupit parlamentar Gjashtë plus, të LDK, AAK, Nisma, Lëvizja Vetëvendosje, të përfaqësuar nga zotëri Isa Mustafa, zotëri Ramush Haradinaj, zotëri Fatmir Limaj dhe zotëri Albin Kurti, si dhe deputetët e komuniteteve të tjera të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve dhe faktor i unitetit të popullit, në takimet me udhëheqësit e partive politike parlamentare ka theksuar se konstituimi i institucioneve të Kosovës është domosdoshmëri për të çuar përpara proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre në zgjidhjen e çështjeve brenda Kuvendit të Kosovës, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Presidentja Jahjaga tha se takimet e sotme zhvillohen me qëllim të lehtësimit të diskutimeve me forcat politike për gatishmërinë e deputetëve të Kuvendit për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve të reja të vendit. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.