Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me ministrin për Çështjet Strategjike të Brazilit, zotëri Marcelo Cortes Neri, me të cilin bisedoi për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova në gjashtë vjet të pavarësisë së saj ka arritur të konsolidojë shtetësinë e saj në skenën ndërkombëtare dhe është njohur nga 106 vende anëtare të OKB-së dhe po ndërtohet si shtet demokratik, gjithëpërfshirës dhe faktor i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore.Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës ka qenë një proces i gjatë, i vështirë dhe në rrethana të veçanta, dhe ajo sot po dëshmohet të jetë një sukses i përbashkët i qytetarëve, institucioneve të Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare, që është vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës synon anëtarësimin e plotë të saj në organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE, NATO dhe në OKB. Ajo tha se njohja e pavarësisë së Kosovës është e rëndësishme për vendin, sepse kontribuon në konsolidimin ndërkombëtar të saj dhe promovon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë. Ajo tha se një pjesë e vendeve të rajonit të Amerikës Qendrore dhe Jugore, në mesin e të cilave edhe Brazili, nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe theksoi rëndësinë që këto vende të shqyrtojnë qëndrimin ndaj Kosovës. Ministri i Çështjeve Strategjike i Brazilit, Marcelo Cortes Neri, theksoi se vendi i tij po përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit dhe tha se do të përçojë tek Presidentja dhe institucionet e Brazilit argumentet e Kosovës për njohjen e saj.