DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot me nderimet më të larta shtetërore në vizitën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga Presidenti Bujar Nishani.

Vizita zyrtare në Shqipëri e Presidentes Jahjaga po bëhet me ftesë të Presidentit Nishani dhe ajo sot u prit në Pallatin e Brigadave me gardën e nderit dhe me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe të Shqipërisë. Presidentja Jahjaga fillimisht zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin Nishani dhe pastaj e shoqëruar edhe nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zotëri Memli Krasniqi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hykmete Bajrami, u takua me delegacionin e udhëhequr nga Presidenti Nishani dhe në të cilin ishte edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zotëri Edmond Panariti. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani biseduan për çështjet e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në fushat e interesit të përbashkët e në veçanti përmes projekteve infrastrukturore dhe të zhvillimit ekonomik, pastaj për proceset e integrimeve evropiane dhe për ndërtimin e shtetit ligjor dhe forcimin e rendit dhe të ligjit, bashkëpunimin në fushën e sigurisë e posaçërisht në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të të gjithë rajonit, dhe me theks të veçantë në rrugën evropiane të Kosovës dhe të Shqipërisë. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani, pas takimit të përbashkët, dhanë edhe deklaratë për shtyp dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve. Në vazhdim po e botojmë të plotë deklaratën e presidentes Jahjaga: Jam jashtëzakonisht e nderuar nga një pritje kaq madhështore, kaq e përzemërt dhe kaq e ngrohtë që më është bërë sot mua këtu në Tiranë. Dua t’ju falënderoj juve President Nishani përzemërsisht për ftesën dhe gjithë përpjekjen tuaj, për ftesën që më keni bërë që të jem sot këtu në Tiranë dhe që keni bërë gjithë përpjekjet tuaja të mundshme për ta bërë këtë vizitë timen të suksesshme në Shqipëri.Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova dhe populli i saj ka pasur vite me radhë nga Ju President dhe nga të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju them faleminderit.Jemi takuar shumë shpesh President Nishani, në konferenca e samite në vende të ndryshme, si këtu në Shqipëri, ashtu edhe në vende të ndryshme të botës. Jemi takuar edhe në Vlorë por edhe në Tiranë. Kemi bashkëbiseduar shumë shpesh dhe gjatë për zhvillimet në vendet tona por edhe për zhvillimet në rajon. Kemi biseduar edhe për mundësitë e përparimit të vendeve tona, kemi biseduar edhe për mundësitë e zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërive tona. Jemi takuar shumë shpesh, por kjo është vizita ime e parë zyrtare me ftesën tuaj President Nishani – në Republikën e Shqipërisë – me të cilën ndajmë aq shumë. Kemi përfunduar një numër projektesh të përbashkëta infrastrukturore, duke përafruar më shumë qytetarët tanë dhe duke lehtësuar më shumë bashkëpunimin midis shteteve tona. Tani ka ardhur koha që të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin, që ta forcojmë edhe më shumë ekonomitë tona e njëkohësisht edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon.Shteti shqiptar i ka qëndruar besnik vlerave të përbashkëta për një shoqëri demokratike, të përparuar dhe gjithëpërfshirëse dhe e ka mbështetur bërjen e Kosovës shtet, duke na mbështetur në të gjitha fushat, e në veçanti në proceset integruese. Përkrahja juaj President Nishani dhe e Republikës së Shqipërisë për Kosovën, ka ndihmuar në përfshirjen tonë në mekanizmat, në nismat dhe në të gjitha proceset që të kontribuojmë në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe për krijimin e një marrëdhënieje të re midis të gjitha vendeve dhe të gjitha shteteve të Evropës Juglindore.Të dyja shtetet tona kanë dëshmuar se bashkëpunimi në rajon është jo vetëm domosdoshmëri për rrugët tona drejt Bashkimit Evropian, por është një garantues i zhvillimit të shoqërive tona dhe gjithsesi i sigurisë, paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Shtetet tona në Evropën Juglindore tani duhet të tregojnë pak më shumë punë, më shumë aktivitete konkrete për një punë të fuqizuar, jo vetëm të ndihmojnë njëra-tjetrën, por edhe në procesin integrues, që është pikësynimi kryesor jo vetëm i Kosovës dhe i Shqipërisë, por i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.President Nishani, më lejoni që edhe një herë t’ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe për mikpritjen kaq të ngrohtë e madhështore.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.