DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga Presidenti i Panamasë, Ricardo Martinelli

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Pallatin Presidencial në Panama City nga Presidenti Ricardo Martinelli, me ftesë të të cilit po qëndron në Panama.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Martinelli biseduan për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja vendeve, për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Panamasë, por proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për konsolidimin ndërkombëtar të saj. Presidentja Jahjaga e falënderoi Presidentin Martinelli për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, që prej njohjes së pavarësisë Kosovës nga Panamaja, si një ndër shtetet e para të Amerikës Qendrore.

Presidentja Jahjaga theksoi se shteti i Kosovës, në 6 vjet të pavarësisë së tij, ka arritur të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse, po e konsolidon shtetësinë në skenën ndërkombëtare dhe pavarësia e tij është njohur nga 106 vende OKB-së si dhe 23 nga 28
vendet anëtare të BE-së.  Ajo tha se Kosova mëton të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së dhe e OKB-së dhe theksoi rëndësinë që procesi i njohjeve të vazhdojë, duke konsoliduar shtetësinë dhe në të cilin proces mund të ndihmojë edhe Panamaja në veçanti në pjesën e
Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Panamaja duhet të zgjerojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre në të gjitha fushat, në veçanti në atë ekonomike dhe të investimeve dhe të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme ndërmjet tyre.

Presidentja Jahjaga i bëri ftesë zyrtare Presidentit Martinelli që ta vizitojë Kosovën gjatë këtij viti, të cilën ftesë ai e mirëpriti.

Presidenti i Republikës së Panamasë, zotëri Ricardo Martinelli, duke i uruar mirëseardhje Presidentes Jahjaga, theksoi gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Ai tha se të dyja vendet duhet të ndërtojnë lidhje të fuqishme
ndërmjet vete dhe shprehu vullnetin e vendit të tij për të bashkëpunuar në fushën ekonomike, politike, kulturore dhe në fushat e tjera të interesit të përbashkët.

Presidenti Martinelli tha se Panamaja do të ndihmojë Kosovën edhe në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj dhe njohjet e mëtutjeshme në veçanti në Amerikën Qendrore dhe atë Jugore.

*****

Konferenca për media pas takimit

Të dy presidentët, pas takimit të përbashkët, në të cilin mori pjesë edhe ministri i jashtëm i Panamasë, mbajtën një konferencë me gazetarë. Në vazhdim po e japim edhe fjalën e plotë të Presidentes Jahjaga në këtë konferencë me gazetarë:

Kjo është vizita ime e parë, dhe njëkohësisht vizita e parë e një Presidenti të Kosovës në Panama, dhe dua që fillimisht të falënderoj Presidentin Ricardo Martinelli, për ftesën zyrtare dhe mikpritjen kaq të ngrohtë. Kjo shënon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve
tona dhe forcimin e miqësisë ndërmjet nesh.

Panamaja është në mesin e vendeve të para nga Amerika Qendrore që e ka njohur pavarësinë e Kosovës duke hapur rrugën e zhvillimit të marrëdhënieve tona dhe unë shpreh mirënjohjen time të thellë, sepse ky hap ka ndihmuar edhe në njohjen e realitetit të vendit tim tek vendet
e Amerikës Qendrore.

Republika e Kosovës sot është realitet i njohur në botë, një demokraci që po zhvillohet dhe një shtet gjithëpërfshirës i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Nga një vatër e krizës dhe pamjeve të luftës, Kosova sot është shndërruar në një shtet të pranuar në botë që synon anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përmbi të gjitha në OKB. Kosova sot është pjesë e pashkëputshme e përpjekjeve për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin e Evropës Juglindore.

Konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës është i rëndësishëm në rrugën e integrimeve të vendit në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare dhe prandaj njohja e realitetit të Kosovës nga të gjitha shtetet e rajonit të Amerikës Qendrore do të ndihmonte këtë proces të rëndësishëm për vendin tim. Si një vend i rëndësishëm në rajonin e Amerikës Qendrore, Panamaja luan një rol të madh dhe ndihma e saj për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës është e rëndësishme.

Kosova dhe Panamaja po ndërtojnë ura bashkëpunimi ndërmjet vete dhe me Presidentin Martinelli biseduam për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në veçanti në fushën e ekonomisë dhe të investimeve. Kosova është një vend i hapur për investime dhe ka potenciale të mëdha natyrore e njerëzore. Panamaja mund të bëhet partneri më i rëndësishëm
i Kosovës.

Zoti President ju faleminderit edhe njëherë për ftesën tuaj dhe për këtë mikpritje të mrekullueshme.

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.