presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u kthye nga vizita në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u kthye sot nga vizita në SHBA. Në Aeroportin e Prishtinës, ajo pati një konferencë për media, në të cilën theksoi se vizita në SHBA ishte jashtëzakonisht e suksesshme.

Presidentja Jahjaga theksoi se gjatë vizitës në SHBA u takua me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me nënsekretaren amerikane të mbrojtjes, Michele Flournoy, me kryeprokurorin e SHBA-ve, Eric Holder, me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller, pastaj me senatorët Mark Kirk dhe Ross Johnson, me ish-sekretaren amerikane te shtetit, Madeleine Albright, si dhe me një varg personalitetesh të njohura, ndërsa pati edhe dy ligjërata në dy universitete prestigjioze.
 
Në takimet shtrova një varg çështjesh që janë në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës. Në të gjitha këto takime mora përkrahjen dhe mbështetjen konkrete, për të gjitha çështjet e diskutuara, tha Presidentja Jahjaga.
 
Më tej, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shtet i pavarur, është shtet sovran, ka integritetin e saj territorial dhe ka sovranitetin e saj dhe se përkrahja e SHBA për Republikën e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si shtet që është faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.
 
Ajo theksoi se vizita në SHBA ishte në funksion të avancimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së.
 
Kosova tanimë nuk shihet vetëm si një shtet që ka nevojë për ndihmë, por shihet si një vend që mund të kontribuojë fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qenë një shembull i mirë i ndërtimit të jetës së përbashkët të qytetarëve, duke i respektuar vlerat që tanimë i kemi ndërtuar. Po ashtu, ne si shtet i kemi ngritur të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe jemi ta gatshëm të marrim pjesë në të gjitha misionit dhe iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare, tha Presidentja Jahjaga.
 
Në vazhdim, Presidentja u përgjigj në pyetjet e gazetarëve:
 
Pyetje: Çfarë roli do të ketë Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit. A do të ketë kompetenca ekzekutive apo do të jetë vetëm këshillëdhënës?
 
Përgjigje: E kam thënë edhe në fjalimin tim në Kuvendin e Kosovës, që do të formoj një Këshill Koordinues Antikorrupsion, që është në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore. Të gjitha ato institucione që janë pjesë, që marrin pjesë në këtë këshill, do ta ruajnë pavarësinë e tyre institucionale përbrenda këtij këshilli.
 
Jam shumë e përkushtuar që ta fitojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe këtë mund ta bëjmë vetëm nëse kemi një organizim dhe një mobilizim të mirëfilltë përbrenda strukturave të vendit tonë dhe gjithsesi, që është e domosdoshme, që t’i përdorim dhe t’i aplikojmë edhe praktikat më të mira të shteteve të cilat kanë kaluar nëpër këtë fazë, kanë një përvojë, kanë një eksperiencë dhe një ekspertizë.
Unë mora mbështetje konkrete në luftimin e këtyre dukurive.
 
Pyetje: Cila është veçantia e këtij këshilli dhe kur mund të presim rezultatet e punës së tij?
 
Përgjigje: E kam thënë se sapo të kthehem nga ky udhëtim do të filloj me formimin e këtij këshilli. Është këshill kryesisht koordinues dhe këshillëdhënës brenda institucioneve dhe besoj që do të kemi një bashkëpunim brenda të gjitha institucioneve.
 
Duhet të kemi një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë dhe duhet ta bëjmë çrrënjosjen e një dukurie që është duke i penguar shumë procese në vendin tonë.
 
Pyetje: Janë ndërmarrë shumë nisma më herët për luftën kundër korrupsionit. Formimi i këtij këshilli nga ana e juaj, a do të thotë se Qeveria nuk e ka kryer punën e saj?
 
Përgjigje: Ky trup është kryesisht koordinues dhe këshillëdhënës. Është në kompetencat e mia kushtetuese që të kemi harmonizimin e politikave që janë në interes të vendit.
 
Pyetje: Si është pritur kjo nismë në SHBA dhe çka mund të ndihmojë SHBA në këtë drejtim?
 
Përgjigje: Është pritur shumë mirë. Ka pasur edhe deklarim të hapur edhe nga sekretarja e Shtetit, zonja Klinton, menjëherë pas takimit. Po ashtu, dje mora pjesë në konferencën “Gratë në siguri”. Në atë konferencë u përshëndet iniciativa. Sigurisht që do të kemi një përkrahje shumë konkrete në luftimin e kësaj dukurie.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.