Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga sot në Kosovë për vizitë zyrtare dyditore po qëndron Presidenti i Austrisë, zotëri Heinz Fischer. Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që po viziton Republikën e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Në vazhdim po përcjellim deklaratat e bëra nga dy presidentët në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit bilateral:
Presidentja Jahjaga: Kam nderin që sot të mirëpres në vizitë zyrtare Presidentin Fischer të Austrisë, mikun e Kosovës, njeriun që ka mbështetur vendin tonë në proceset e tij demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.
President Fischer, vizita e juaj në Kosovë është dëshmia më e mirë e vazhdimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve tona, e ndërtuar me aq besim e dashuri dhe me aq mirëkuptim.
Me Presidentin Fischer patëm një takim jashtëzakonisht të mirë dhe të frytshëm. Biseduam për çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve tona, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik, por gjithsesi theksuam edhe rëndësinë e mbështetjes së proceseve nëpër të cilat po kalon i gjithë rajoni i Evropës Juglindore.
President Fischer, shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për ndihmën që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e rëndësishme; në një kohë të vështirë duke i dhënë fund një lufte që ka lënë pasoja të rënda për shoqërinë tonë, pastaj në rindërtimin e vendit dhe kthimin e shpresës tek qytetarët, përmes pranisë në forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe në misionet e tjera ndërkombëtare. Ju e keni mbështetur Kosovën në hapjen e një kapitulli të ri të shtendërtimit – të krijimit të një vendi gjithëpërfshirës, demokratik, të zhvilluar dhe me rend e ligj. Austria është vendi ku i janë vënë bazat e shtetësisë së Kosovës, mikpritëse e bisedimeve për statusin, nën drejtimin e të dërguarit të OKB-së.
Austria është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë. President Fischer, e ritheksoj kontributin e jashtëzakonshëm të gjithë atyre burrave e grave të KFOR-it austriak në Kosovë, që për më shumë se 16 vjet kanë ndihmuar popullin e Kosovës jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, por edhe në vendosjen e urave të bashkëpunimit. Dhe ju – President Fischer – jeni njeriu që e keni mbështetur këtë mision pa asnjë hezitim.
Kjo histori e marrëdhënieve mes dy vendeve tona është dëshmi e përkushtimit të popujve tanë për liri dhe paqe dhe për mirëkuptim. Ne shprehëm gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve, dhe jemi thellësisht të nderuar që, si pjesë e delegacionit të Presidentit Fischer, janë edhe 25 investitorë të mëdhenj austriakë. Kosova ka resurse të mëdha edhe natyrore edhe njerëzore dhe ne po krijojmë një klimë të mirë të biznesit, duke ofruar siguri për të gjithë investitorët. Ne duam ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë dhe ta orientojmë tregun nga Bashkimi Evropian.
Republika e Kosovës, sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, ka perspektivë të qartë evropiane, dhe ne po punojmë me ngulm për të përmbushur standardet e kriteret e përcaktuara, që na përafrojnë me familjen e madhe evropiane. Vizita e Presidentit Fischer vjen vetëm një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, një hap historik për Kosovën në marrëdhëniet me Bashkimi Evropian, që e përgatit vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit. Ne presim që ta përmbyllim edhe procesin e liberalizimit të vizave, që do t’ju mundësojë qytetarëve tanë lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimi Evropian.
Si një shtet i ri në Evropë po dëshmojmë përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon si dhe të zgjidhjes së çështjeve me dialog dhe marrëveshje. Ne kemi dëshmuar përkushtimin për të qenë pjesë e pandashme dhe aktive e arkitekturës globale të sigurisë, kontribuues të rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe mbështetës të përpjekjeve ndërkombëtarë për t’u dalë në ndihmë refugjatëve të përndjekur me dhunë nga vendi tyre.
Republika e Kosovës sot po kalon nëpër një periudhë të rëndësishme, kur po e teston edhe demokracinë e brendshme edhe pjekurinë politike. Zgjidhjet janë brenda sistemit dhe brenda institucioneve si dhe përmes dialogut të ndërsjellë në respektim të parimeve kushtetuese dhe ligjore. Debati në institucione shmang përplasjet e dhunshme dhe ndërton kulturën demokratike dhe parlamentare, të domosdoshme për të vazhduar proceset integruese.
Unë besoj fuqishëm se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare e rrjedhimisht edhe të shtetit mik të Austrisë, në rrugën e saj përpara.
Dhe në fund, me Presidentin Fischer jemi pajtuar që të dy vendet tona të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët, në ekonomi, tregti, kulturë, në fushën e rendit dhe të sigurisë dhe në qarkullimin e lirë të qytetarëve midis të dyja vendeve tona.
Zotëri President, ju faleminderit për vizitën tuaj dhe për miqësinë ndërmjet dy popujve tanë dhe vendeve tona.
Presidenti Fischer: Jam i kënaqur që jam këtu, si mysafir i Presidentes Jahjaga. E kam pranuar ftesën me dëshirë. Ne kemi një bazë të mirë të bisedimeve. Jemi takuar në ngjarje të ndryshme dhe kemi pasur një pajtueshmëri ta madhe mes vete.
Kosova ishte një çështja e rëndësishme për tërë Evropën dhe një çështje parimore se a do t’ia dalim që problemet që janë krijuar këtu në Kosovë t’i zgjidhim në mënyrë paqësore. Kjo ishte e vështirë, ka qenë e dhimbshme, mirëpo është bërë progres i madh në këtë drejtim.
Ne sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian. Janë 111 shtete nga tërë bota që e kanë njohur Kosovën, mirëpo rruga të cilën Kosova duhet ta kalojë ende nuk ka mbërritur në fund. Ka edhe shumë hapa të tjerë, disa prej të cilëve do të jenë më të vështirë. Natyrisht edhe për Serbinë ka diçka që është shumë e vështirë. Mirëpo, rruga në parim është e drejtë. Ne dëshirojmë që së bashku të ecim në këtë rrugë dhe ne dëshirojmë që në këtë rrugë të shkojmë në mënyrë paqësore.
Sot këtu mund t’ju uroj përzemërsisht për nënshkrimin dje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Në këtë projekt është punuar shumë, kjo nuk i është dhënë Kosovës si dhuratë, por janë kryer shumë punë paraprake. Mirëpo, tani ia keni dalë. Është një hap i rëndësishëm. Unë i kam thënë zonjës Presidente, të cilën e çmoj shumë, për neve është një fakt dhe unë po flas për Austrinë, por kështu është edhe për shtetet e tjera të BE-së – për neve është e natyrshme që procesi i integrimit evropian nuk ka përfunduar, përderisa këto gjashtë shtete, të cilat ne i quajmë si Ballkani Perëndimor, nuk bëhen anëtare me të drejta të barabarta të Bashkimi Evropian. Pra, që të jenë pjesë e projekteve ta paqes së Evropës.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i radhës, që është në provë. Kosova edhe në këtë drejtim ka kryer shumë punë paraprake dhe mendoj se një shumicë e shteteve të BE-së po punojnë dhe janë të interesuara për përfundimin e kësaj çështjeje. Ne sot duhet të punojmë që ky hap, në një të ardhme të afërt, të bëhet realitet.
Bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm. Austria po mundohet që t’i qaset Kosovës në mënyrë aktive, që t’i aktivizojë institucionet, ndërmarrjet, që t’i inkurajojë që të jenë aktive dhe të investojnë në Kosovë.
Në kuadër të vizitës sonë do ta kemi edhe një forum ekonomik, ku do të marrin pjesë rreth 25 firma austriake, të cilat mundohen që t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre në Kosovë. Ky zgjerim do të ndodhë kur edhe Kosova të ndërmarrë hapa, si rritja e sigurisë, funksionimi i drejtësisë, kur korrupsioni në proceset ekonomike nuk luan më rol të rëndësishëm. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme për zgjerimin e mëtutjeshëm bashkëpunimit ekonomik. Prandaj, të gjitha palët duhet të përpiqen.
Ne po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira. Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve.
Aktivitetet e KFOR-it i mbështesim shumë. Unë do të vizitoj edhe kontingjentin e KFOR-it austriak këtu dhe mund t’ju them që unë që sot jam i bindur se nesër pasdite do të kthehem me përshtypje të mira nga vizita dhe nga bisedat e zhvilluara këtu.
Pyetjet:
RTK: Pyetje për dy presidentët. Zonja Presidente, kriza politike në vend sa vjen e thellohet, duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të pozitës dhe opozitës. Në kuadër të angazhimit tuaj kushtetues, keni pasur takime me liderët e partive politike, më pas është diskutuar mundësia që marrëveshjet e Brukselit të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim dhe hapa të tjerë, por duket që këto angazhime ende nuk kanë sjellë rezultate. Edhe çfarë ju ka mbetur të bëni zonja Presidente dhe si e shihni rrugën për të tejkaluar këtë situatë të krijuar?
President Fischer, Kosova është duke e kaluar një moment i cili duket se nuk është aspak i lehtë dhe po përballet për herë të parë me të. Pozita dhe opozita vazhdojnë të ketë qëndrime të kundërta për marrëveshjet ndërkombëtare në Bruksel dhe për atë për demarkacionin. Si mendoni se mund të tejkalohet kjo situatë dhe si do të ndikojë kjo sipas jush kjo gjendje e krijuar në aspektin e integrimeve evropiane të Kosovës kur e kemi parasysh se është nënshkruar MSA-ja.
Presidentja Jahjaga: Siç e dini, javën e kaluar unë kam pasur takime të ndara me pozitën dhe opozitën, me përpjekjet për të tejkaluar gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, ftesa ime për një takim të përbashkët me spektrin politik ende nuk është pranuar nga opozita, por natyrisht që ftesa ime mbetet e hapur dhe pres të shoh vullnet dhe mirëbesim nga subjektet politike në mënyrë që të tejkalojmë këtë situatë në të cilën gjendemi. Në takime të ndara, të cilat i kam pasur me kryeministrin e vendit dhe me zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Fischer: Unë po i vëzhgoj këto tema me kujdes. Unë natyrisht jam president i Federatës, i cili në Austri nuk ngurron që t’i përgjigjet pyetjeve aktuale. Mirëpo, në shtetet e tjera që të shprehem lidhur me problemet e një shteti mikpritës, atëherë duhet të jem më i kujdesshëm dhe më ngurrues. Mund t’ju them se marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në Vjenë së bashku me një marrëveshje të dytë të demarkacionit me dy shtete të tjera.
Është mirë që problemet e deritanishme të pazgjidhura kufitare të zgjidhen në bazë të negociatave. Prandaj, pa u përzier në çështjet e brendshme të Kosovës, duhet të ketë një rezultat të synuar të negociatave pastaj edhe të zbatohen nga dy palët negociatore.
Ndërsa pika e dytë të cilën e përmendet ju, është natyrisht marrëveshja për asociacionin e komunave serbe. Mesa unë e kam studiuar këtë temë, atëherë këtu nuk bëhet fjalë që të ketë ndonjë rrafsh të ri kushtetues, mirëpo bëhet fjalë që ky asociacion, këto komuna ta kenë të drejtën të bashkohen dhe prandaj mendoj që kjo në praktikë do të funksionojë dhe mund të funksionojë mirë nëse të gjithë pjesëmarrësit e tregojnë vullnetin e mirë. Mirëpo, parlamenti në këtë shtet, institucionet e këtij shteti duhet ta marrin këtë vendim dhe unë kam besim të plotë në kapacitetet e zgjidhjes që i kanë institucionet e Kosovës.
Elisabeth Hilgarth, nga Agjencia Austriake e Lajmeve: Kosova po bën progres drejt Bashkimit Evropian. Është nënshkruar marrëveshja e MSA-së dhe ka pasur një tejkalim të gjendjes me Beogradin. Mirëpo, në Parlament ka ende gaz lotsjellës. A mendoni se në Kosovë procesi demokratik me sa po shihet është ashtu siç duhet të jetë ose a po i afrohet Bashkimit Evropian procesi demokratik i Kosovës?
Zotëri Fisher, unë po ju pyes për gazetarët ndërkombëtarë të cilët më pyetën për situatën në Austri tani, se ministri i Brendshëm ka thënë se dëshiron të vendos gardh për të parandaluar rrjedhën e refugjatëve. Një deklaratë për këtë?
Presidentja Jahjaga: Të gjitha obligimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka marrë jo vetëm në këtë rast, por edhe herëve të tjera i ka përmbushur me përgjegjësi dhe i ka përmbushur me përpikëri të plotë. Kjo ka të bëjë edhe me procesin, sepse ju iu referuat edhe hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Siç u tha edhe më herët, janë disa sfida nëpër të cilat Kosova po tejkalon. Edhe në mënyrë publike, edhe në takime të rregullta dhuna është dënuar, duke mos qenë formë e përçimit të mesazhit të duhur, por zgjidhjet janë brenda jetës institucionale, janë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Edhe veprimet e fundit edhe propozimet e mia të fundit që parimet e asociacionit të komunave serbe në Kosovë të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është veprim institucional dhe të gjitha zgjidhjet kanë qenë dhe do të jenë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Vet hapi i djeshëm i nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në Strasburg nga kryeministri i Republikës së Kosovës, është mesazhi më i duhur që Kosova dhe populli i saj dhe të gjithë qytetarët e saj kanë marrë në momentin e duhur nga ana e BE-së për politikën e zgjerimit, jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet e rajonit.
E ardhmja e Kosovës dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është drejt proceseve të integrimeve euroatlantike dhe në asnjë moment do të rrëshqasim nga ky synim dhe nga kjo alternativë dhe nga ky vizion i vetëm i yni.
Presidenti Fischer: Austria është një shtet i cili ka shumë përvojë me refugjatë të cilët në dekadat e fundit vazhdimisht kanë ardhur pas revolucionit hungarez, pas pranverës së Pragës, pas luftës civile në Jugosllavi, posaçërisht pas luftës në Bosnje e kështu me radhë.
Aktualisht është një kuantitet i refugjatëve, të cilët kurrë nuk i kemi pasur më parë dhe prandaj këtë vit, në vitin 2015 parashihet që më shumë se 500 mijë njerëz kanë kaluar kufirin me Austrinë. Pjesa më e madhe e tyre po shkon më tutje për Gjermani, mirëpo edhe ata “vetëm po kalojnë nëpër Austri” po krijojnë natyrisht nevoja të mëdha të organizimit dhe probleme të mëdha të organizimit dhe të logjistikës të cilat duhet të zgjidhen. Prandaj, ne po llogarisim që këtë vit rreth 80 mijë kërkesa për azil do t’i kemi për të lejuar dhe për t’i mundësuar azil në Austri. E ne, këtë deri më tani jemi munduar që ta bëjmë me fuqitë më të mira, mirëpo po dëshmohet që ne kemi arritur në kufijtë e kapaciteteve tona, prandaj Qeveria Federale e Austrisë këtë mund ta them edhe me shtetet e tjera, po mendohemi dhe po bëjmë përgatitje se si mund të përgatitemi dhe t’i qasemi kësaj. Them që do të kemi shumë refugjatë, të cilët do të kalojnë nëpër Austri e disa të tjerë ndoshta do të qëndrojnë në Austri, se si mund ta përballojmë këtë problem në mënyrën më të mirë. Deri më tani askush nuk është përcaktuar për ndonjë detaj lidhur me këtë, lidhur me gardh ose mjete të tjera ndihmëse, mirëpo problemi i tillë ekziston dhe siç u tha më herët Qeveria Federale e Austrisë po përpiqet që t’i plotësojë kushtet teknike dhe organizative dhe t’i përmirësojë edhe më tutje për të mënjanuar problemet e mundshme. Mirëpo, vëmendje e veçantë ose vëmendje më e madhe do t’i kushtohet kufijve të jashtëm të BE-së që të kontrollohen në mënyrë më të mirë dhe që shpërndarja e refugjatëve të funksionojë më mirë brenda Evropës. Vetëm nëse këto ngarkesa do të shpërndahen në mënyrë të barabartë, atëherë edhe mund të barten nga të gjitha shtetet.