Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Naim Ismajli dhe drejtorin ekzekutiv të këtij asociacioni, z. Sazan Ibrahimi.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe shprehu mbështetjen e saj për aktivitetet e këtij asociacioni, që përfaqëson interesat dhe shqetësimet e të gjitha komunave të Republikës së Kosovës.Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e bashkëveprimit dhe koordinimit ndërinstitucional për të trajtuar të gjitha çështjet me interes për qytetarët e Kosovës, pa dallim. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës z. Naim Ismajli, e njoftoi Presidenten Jahjaga me aktivitetet e deritanishme dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që gëzon ky asociacion nga Presidentja e Republikës.

