DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti komisionerin e BE-së, Johannes Hahn

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka pritur sot Komisionerin evropian për politikat evropiane të fqinjësisë dhe negociatave për zgjerim, zotëri Johannes Hahn me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, raportin vlerësues për liberalizim të vizave dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

Presidentja Jahjaga theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është mirëpritur në Republikën e Kosovës si dëshmi e përparimit në përmbushjen e kushteve që e forcojnë të ardhmen evropiane të Kosovës, sidomos në zhvillimin e ekonomisë dhe sundimin e mirëfilltë të rendit dhe ligjit. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të përmbushin obligimet e tyre dhe kërkojnë që rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian të jetë e barabartë me atë të shteteve tjera të rajonit. Presidentja Jahjaga po ashtu njoftoi Komisionerin Hahn për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, duke theksuar se institucionet e Kosovës presin që qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen pas vlerësimit pozitiv në fund të vitit. Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, Presidentja Jahjaga e njoftoi Komisionerin Hahn për takimet me koalicionin qeverisës dhe subjektet opozitare të zhvilluara me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar politike në Kosovë. Presidentja po ashtu e theksoi vendimin e saj që, në kuadër të kompetencave të saj, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar përputhshmërinë e parimeve të Asociacionit të Komunave Serbe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si rrugë institucionale për adresimin e shqetësimeve. Presidentja Jahjaga gjithashtu diskutoi me Komisionerin Hahn për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duke theksuar që suksesi i këtij procesi do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe kushtëzimi i përparimit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE me heqjen e përkrahjes për strukturat paralele dhe ilegale nga Beogradi. Presidentja Jahjaga po ashtu shprehu gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës që të përmbushin obligimet e mbetura ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale që do t’i adresojë akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës, përfshirë marrëveshjet bilaterale mes Holandës dhe Kosovës për themelimin e kësaj gjykate. Komisionieri Hahn përgëzoi përparimin e shënuar në Kosovë, nënshkrimin e MSA-së dhe ndër tjera falënderoi Presidenten Jahjaga për rolin e saj në adresimin e migrimit ilegal nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian që është një prej argumenteve kryesore për vendim pozitiv për Kosovën në çështjen e liberalizimit të vizave.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.