Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 25 vjetorit të Samitit Global të Gruas që u mbajt në Washington DC. Me këtë rast, ajo tha se barazia gjinore është shumë e rëndësishme për avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë dhe në këtë kontekst përmendi rolin që kanë luajtur gratë në Kosovë në periudhat e ndryshme nëpër të cilat ka kaluar vendi. Presidentja Jahjaga theksoi domosdoshmërinë për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta me qëllim të garantimit të të drejtave të barabarta të grave si dhe përfshirjen e plotë të tyre në të gjitha fushat e jetës.
Pas fjalës, Presidentja Jahjaga kishte një bashkëbisedim me gazetaren Eleanor Cliff nga Daily Beast dhe gazetaren Maureen Bunyan të ABC7/WJLA-TV, me të cilat bisedoi për periudhën e rezistencës paqësore të shoqërisë kosovare, për periudhën e luftës si dhe për fazat e tjera të shtetformimit të Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtarë në përballje me sfidat globale siç është terrorizmi dhe radikalizmi.
Presidentja Jahjaga foli edhe për rolin e saj si Presidentja e parë grua në Kosovë dhe në të gjithë rajonin, për rëndësinë e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe për ndryshimin që ato mund të sjellin në shoqëritë e tyre duke mbështetur njëra-tjetrën.
Në vazhdim po e botojmë të plotë fjalën e Presidentes Jahjaga
E dashura Irene,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni të filloj sonte duke shprehur tronditjen time dhe pikëllimin tim të thellë me rastin e humbjes së jetërave në këtë valë të terrorit në Paris. Mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Kjo ngjarje e sontme na përkujton rrezikun dhe armiqtë e vlerave dhe idealeve tona të përbashkëta, të cilat duhet t’i mbrojmë së bashku.
Sonte qëndrojmë krah për krah me Francën. Sonte qëndrojmë krah për krah me Parisin.
Është kënaqësi e posaçme t’ju drejtohem në këtë Gala darkë, në këtë jubile të posaçëm të Samtit Global të Grave, jubile i cili shënon 25 vjetorin e një platforme jashtëzakonisht të guximshme, e cila ka si qëllim fuqizimin e shoqërive nëpërmes fuqizimit të rolit të cilin gratë dhe vajzat e kanë në shoqëri.
Ky rrugëtim vizionar, i udhëhequr me pasion të madh nga një grua inspiruese, Irene Natividad, ka thyer barriera, tavane të qelqta, i ka dhënë zë të pazëshmëve, dhe më së shumti, ka riafirmuar faktin se fuqizimi ekonomik i grave është esencial për përparimin e secilës shoqëri.
Dëshiroj t’ju përgëzoj, mikja ime e dashur Irene, për vendosmërinë tuaj të paepur për t’i bërë bashkë gratë nga mbarë bota dhe për sjelljen e çështjes së barazisë gjinore në krye të zhvillimeve të secilës shoqëri në mbarë botën.
Secilën ditë, besimi, vizioni dhe vendosmëria për pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave inspiron ndryshim, shfaqë talentin e lindur të grave, tërheqë shoqëritë drejtë paqes dhe pajtimit dhe shtetet drejtë zhvillimit, inovimit dhe përparimit.
Por, ky vizion, secilën ditë edhe po sfidohet dhe po poshtërohet nga vendimi i familjeve, komuniteteve, shoqërive dhe shteteve që ta trajtojnë gruan dhe vajzën si qytetare të nivelit më të ulët dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë si çështje të një rëndësie të dytë. Për dekada, ne jemi angazhuar për ta ndryshuar këtë realitet duke thyer normat dhe konventat të cilat i mbajnë gratë larg nga jeta publike, të diskriminuara në mes të mureve të shtëpive të tyre, të zhveshura nga e drejta për të marrë vendime për jetën e tyre.
Ne e kemi bërë këtë me një mund të madh dhe më një vendosmëri të guximshme, sepse kemi refuzuar të jetojmë në një botë në të cilën vetëm gjysma e popullatës flet, është prezente dhe merr vendime për secilin.
Ne jemi krenarë për atë se çfarë kemi arritur për gjenerata me radhë, tanimë të shkruara në vlerat universale të cilat i konsiderojnë çështjet e drejtave të grave si të drejta njerëzore, dhe kërkojnë llogari nga secili shtet për çrrënjosjen e secilit lloj të diskriminimit ndaj grave dhe vajzave të reja.
Ne kemi shkuar edhe më tej se vetëm kërkesa për konsiderimin e barazisë gjinore si një imperativ moral, dhe kemi njohur faktin se barazia gjinore është qenësore për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, demokraci kuptimplote dhe shoqëri të drejtë.
Javën e kaluar ne të gjithë u fascinuam nga kryeministri i ri i Kanadasë, i cili përzgjodhi një kabinet të balancuar gjinor. Përgjigja e tij e thjeshtë për këtë veprim rezonon me vizionin të cilin shumë nga ne e ndajmë bashkë.
Është viti 2015 dhe me të vërtetë barazia gjinore duhet të jetë në ballë të shekullit 21. Siç e ka thënë ish sekretarja e shtetit, e Nderuara Hillary Clinton : “Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë nëse zërat e grave nuk dëgjohen. Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë nëse grave nuk u jepet mundësi për të marrë përgjegjësi për jetët e tyre. Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë nëse të gjithë qytetarët nuk janë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën e vendit të tyre”.
Por, përkundër të gjitha të arriturave, ne jemi larg nga një botë e të drejtave dhe mundësive të barabarta për gra dhe vajza.
Sot, në botë vetëm 22 gra janë udhëheqëse shteti, dhe në nivel global, vetëm 22 për qind e grave janë të përfaqësuara në parlament.
Gratë akoma janë të paguara më pak për punë të njëjtë sesa meshkujt. Akoma kanë qasje më të paktë në burime ekonomike dhe financiare dhe ju mungon qasja në shërbime adekuate shëndetësore e bile edhe qasja në ujë të pijshëm.
Përderisa e kemi njohur faktin e impaktit pozitiv të fuqizimit të vajzave, ne vazhdojmë të ballafaqohemi me realitetin në të cilin vajzave u mohohet e drejta të shkojnë në shkollë sikur vëllezërit e tyre, dhe shpesh janë të detyruara të martohen në moshë të re për burra shumë më të moshuar, shpesh u kryhen deformime gjenitale, dhe kur lindin fëmijë, ballafaqohen me rrezik të lartë të vdekshmërisë gjatë lindjes.
Ne jemi akoma duke luftuar beteja të cilat dikur i kishim fituar. Kemi aboluar skllavërinë, por vajzat tona janë akoma të skllavëruara.
Kurrë nuk e kishim menduar se përsëri do të jemi dëshmitarë të skenave të tmerrshme të grave, vajzave dhe fëmijëve të prangosur, seksualisht të abuzuar në mënyra më të neveritshme dhe të shitura si skllave seksi. Kjo po bëhet për çdo ditë nga militantët e ISIL-it.
Ne i konsiderojmë përdhunimin dhe keqtrajtimin seksual si krime lufte, ndërsa trupat e grave akoma konsiderohen si fushëbeteja për përfitime politike dhe ideologjike.
Duke qenë dëshmitarë të krimeve mizore të cilat i zhveshin gratë nga identiteti i tyre, ne i lëmë ato të turpëruara, përderisa kryesit e këtyre veprave janë të lirë, në një kulturë të pandëshkueshmërisë për krimet të cilat i kanë kryer.
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
Ishte vetëm gjatë vitit të shkuar kur ndamë së bashku vuajtjet e motrave tona nigeriane të kidnapuara nga grupi terrorist Boko Haram.
Ne të gjithë në unison kërkuam, Na i Ktheni Vajzat Tona.
Tani, kur i kemi përqafuar vajzat tona, shumë nga to fëmijë, një numër i tyre tinejgjere shtatzëna, e kemi për detyrë t’u ndihmojmë për ta rimarrë jetën e tyre dhe të luftojnë stigmën sociale e cila i konsideron si të përjashtuara nga shoqëria.
Kur të mblidhemi bashkë për ta luftuar stigmën sociale, ta luftojmë kulturën e mosndëshkueshmërisë, për t’i sjell kryesit para drejtësisë dhe për t’i ofruar të mbijetuarve mbështetje institucionale dhe shoqërore, do të jemi në gjendje për ta ndalur këtë krim, t’i dënojmë kryesit dhe posaçërisht t’u ndihmojmë të mbijetuarve që t’i rimarrin jetët e tyre prapa.
Siç e dini, vuajtjet e tyre, tregimet e tyre për mua janë personale. Sepse më përngjajnë në tregimet e grave të vendit tim.
Mund ta them me plot zë se nuk janë vetëm gratë ato që paguajnë çmimin e padrejtësive të kryera mbi to nga kjo armë lufte, por e mbarë shoqëria.
Secilën herë që flas për barazi gjinore, unë ndaj tregimet e grave të fuqishme të Kosovës. E bëj këtë sepse forca e tyre e ka lëvizur vendin tonë përpara dhe e ka mbajtur strukturën e shoqërisë sonë në kohëra luftash dhe të paqes.
Ato kanë luftuar për liri, për të drejtën që fëmijët e tyre të kenë qasje në arsimim, dhe shërbime shëndetësore.
Ato kanë luftuar për të drejtën e mbarë komunitetit për të jetuar si qytetarë të barabartë nën një regjim i cili i konsideronte qytetarë të rendit të dytë, ato kanë luftuar për drejtat e njeriut.
Si pjesë e pandashme e luftës kombëtare për mbijetesë, gratë e Kosovës ishin të gatshme për të sakrifikuar çdo gjë për të mbrojtur familjet e tyre, duke përfshirë edhe trupin e tyre. Ato u bënë pjesë e tragjedisë së shkaktuar nga agresioni.
Sot, mijëra nga to bartin vragat e krimit mizor të dhunës seksuale të përdorur si mjet lufte, viktima të këtij krimi të tmerrshëm, krim akoma i përhapur gjithandej.
Për një kohë shumë të gjatë, gratë e Kosovës luftuan me turpin, izolimin dhe përjashtimin shoqëror, të vendosur mbi trupin e tyre si taktikë luftarake.
Por, të gjitha instancat e grave aktiviste ishin prezente për të shëruar varrat e tyre, duke thirrur pa frikë institucionet shtetërore për ta njohur se çfarë u ka ndodhur atyre dhe për t’i dënuar fajtorët.
Sot, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë kanë gjetur mbështetje nga institucionet e vendit, nëpërmes Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, mekanizëm të cilin e kam themeluar vitin e kaluar.
Sot, ne u ofrojmë një përgjigje të koncentruar sociale dhe institucionale, dhe deklarojmë me krenari se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës janë heroinat tona. Sot, ato kanë gjetur edhe mbështetje nga miq nga mbarë bota të cilët e kanë shtrirë dorën e ndihmës.
Miq nga Samiti Global i Grave dhe nga Fondacioni MCM të udhëhequr nga mikja ime e dashur Znja. Sungjo Kim, e cila u ka ofruar një mundësi të dytë për jetë, duke u rikthyer shpresën dhe krenarinë.
Ne kemi akoma shumë për të bërë për t’u ofruar atyre drejtësinë sociale e cila u takon. Por jemi më të vendosur se kurrë për t’u përmbajtur obligimeve tona institucionale dhe shoqërore dhe t’i ofrojmë të mbijetuarve drejtësi.
Është forca dhe kuraja e tyre e cila më jep shpresë se kërkesa e tyre për njohje kombëtare dhe ndërkombëtare të këtij krimi, për drejtësi dhe për një jetë ne paqe do të merret parasysh.
Në këto 25 vjet, gratë e Kosovës kanë kaluar nëpër shtypje, luftë dhe në fund takuan paqen. Ishte forca dhe guximi i tyre që ndihmoi shoqërinë tonë të gjejë shpresë.
Tani, ato luftojnë për çdo ditë për ta ndërtuar një shtet të fortë në mes të rrënojave të luftës dhe të ofrojnë paqe gjithë qytetarëve mundësi për jetë prosperuese.
Ne gjejmë tregime të ngjashme të grave dhe vajzave të reja ne secilën shoqëri. Tregime të grave të cilat nuk dalin gjithmonë në lajme por te cilat prekin jetët e familjeve dhe të mbarë shoqërisë.
Le te mos harrojmë kurrë se gratë janë shtylla të shoqërive tona të cilat na mbajnë të bashkuar.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Më vite kemi ndarë bashkë tregimet tona të rrugëtimit të rëndë dhe të gjatë për t’i tejkaluar barrierat, tregimet e angazhimeve tona për të parë gratë dhe vajzat të gëzojnë të drejta dhe liri të barabarta, dhe t’u sigurojmë qasje në një jetë të dinjitetshme.
Ne vazhdojmë të mbetemi të bashkuara sepse ne besojmë se ne mund ta ndryshojmë realitetin në të cilin gratë dhe vajzat jetojnë në shoqëritë tona.
Ne besojmë në forcën të cilën e kemi për t’i prekur jetët e njëra tjetrës në shumë mënyra të bukura, duke i ndihmuar njëra tjetrës për të krijuar realitete të reja, duke thyer barrierat e reja dhe tavanet e qelqta.
Ne të gjitha besojmë se një shans i ofruar grave është një shans i ofruar mbarë shoqërisë.
Një grua e cila udhëheq shtetin është akoma një përjashtim nga norma. Për shumë shoqëri, duke përshirë edhe shoqërinë time, unë jam përjashtim nga norma. Po, jemi duke parë më shumë gra udhëheqëse vendesh se më parë, por akoma i trajtojmë ato si raste të veçanta. Jam shumë e sigurt se ju besoni që një grua e cila udhëheqë një shtet duhet të jetë normë, siç duhet të jetë normë pjesëmarrja e grave në secilën tavolinë vendimmarrëse, në dialog për paqe dhe në borde të korporatave.
Sepse ju besoni, siç besoj edhe unë, se barazia është normë për të ardhmen e botës sonë.
Është po kjo premisë të cilën ne duhet t’ua transmetojmë gjeneratave të reja dhe të shtrojmë rrugën në mënyrë që ato të flasin për vlera, aftësi, mundësi, ëndrra të mbarë qytetarëve pa dallim gjinie, dhe ta marrin barazinë gjinore si normë.
Ne mund ta bëjmë këtë duke punuar së bashku, krah për kah me meshkujt, për të garantuar respekt për dinjitetin social, ligjor, politik dhe ekonomik të grave dhe drejtën e tyre mbi trupin e tyre në mbarë botën.
Siç e ka thënë Eleanor Roosevelt: “Bota u takon atyre të cilët besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre”. Le ta ëndërrojmë një botë të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët njëlloj.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR