Gjatë qëndrimit në vizitë zyrtare në Republikë n e Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar një takim edhe me zëvendëskryeministrin z.Vasko Naumovski.
Në takim, zëvendëskryeministri Naumovski shprehu kënaqësinë që mirëpret presidentin e shtetit më të ri të rajonit, dhe u shpreh i nderuar që është nikoqir i Presidentit të Republikës së Kosovës. “Shpreh konsideratat për takimin e Presidentit Pacolli me Presidentin Ivanov, Kryetarin e Parlamentit dhe pjesëmarrjen ne samitin e komunitetit te biznesit. Vlerësojmë që së bashku do të shkojmë drejt integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë , z.Vasko Naumovski. Ndërsa, Presidenti Behgjet Pacolli u shpreh: “Jam i lumtur për vizitën time në Republikën e Maqedonisë, ku pata takime konstruktive me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, ku konfirmuam raportet miqësore dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve tona, si dhe diskutuam planet tona në sferën politike dhe ekonomike”. Presidenti Pacolli përgëzoi zëvendëskryeministrin Naumovski për progresin e shënuar në fushën e integrimit euroatlantik. Ai gjithashtu u zotua dhe kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë që të dy vendet të jenë në funksion të integrimit të përbashkët ekonomik dhe politikës në përmirësimin e mirëqenies sociale të dy vendeve fqinje. Po kështu, Presidenti Pacolli zotua për krijimin e një percepsioni të ri në shoqërinë e dy vendeve tona, ku ndasitë politike, etnike, fetare do të jenë pjesë e së kaluarës. Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së zhvillimit të të dy vendeve tona, Presidenti Pacolli theksoi: “Të investojmë me pak para që kemi, me pak kohë që na ka mbetur dhe më shumë shpirt që kemi në funksion të interesit të qytetarëve të vendit tonë”.