Bruksel, 21 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, u prit edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.
Presidenti Thaçi e informoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini, për të arriturat e Kosovës dhe për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon.
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova tani pret një vendim meritor.
I pari i vendit foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se ky proces ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Ballkanin Perëndimor.
Përfaqësuesja e Lartë Mogherini u shpreh se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin për liberalizimin e vizave dhe kërkoi që sa më parë të përmbushet edhe kriteri i fundit, ai i miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ajo gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin.
Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.