Nju Jork, 21 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në takimin e gjashtë të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, që është zhvilluar në Nju Jork.
Presidenti ka shprehur zotimin se Kosova mbetet e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësimin e Kosovës ne BE. Në të njëjtën kohë Presidenti ka shprehur haptazi pakënaqësitë e tij me izolimin dhe mungesën e perspektivës së qartë për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës më së shumti po e ndjejnë këtë izolim, duke qenë të vetmit në Evropë që iu mohohet e drejta e lëvizjes pa viza.
Presidenti Thaçi theksoi se Kosova megjithatë mbetet e përkushtuar për t’i jetësuar objektivat në rrugëtimin e saj evropian.
Ai ka rikujtuar se çdo vonesë në integrimin e rajonit në BE, mund te sjellë pasiguri në rajon.