Prishtinë, 6 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur mareshalin Stuart Peach, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e Kosovës dhe NATO-s dhe për zhvillimet e fundit që prekin sigurinë në Kosovë dhe në rajon.
Presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për punën e NATO-s në përgjithësi dhe të KFOR-it në veçanti, që kanë bërë gjatë këtyre dy dekadave në Kosovë.“NATO, KFOR-i, janë emrat që gëzojnë besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo është meritë e punës suaj për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.Duke folur për zhvillimet në Kosovë, presidenti Thaçi ka thënë se janë pjekur të gjitha kushtet që FSK-ja të shndërrohet në ushtri të Kosovës.“FSK-ja është e gatshme të bëhet ushtri e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.“Transformimi është proces gradual, i koordinuar me NATO-n dhe aleatët tanë”, ka shtuar ai.Mareshali Peach ka pohuar se NATO-ja, nëpërmjet KFOR-it, do të vazhdojë të kryejë misionin e vet, në interes të Kosovës dhe rajonit.“NATO do të vazhdojë të ofrojë ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, u shpreh mareshali Peach.Presidenti Thaçi ka theksuar se me transformimin e FSK-së, NATO-ja do ta fitojë një partner të besueshëm.