Prishtinë, 12 dhjetor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova dhe Maqedonia kanë aspirata dhe ambicie të njëjta për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Do të bashkëpunojmë dhe do ta përkrahim njëri-tjetrin në realizimin e këtyre aspiratave. Në rrafshin bilateral kemi bashkëpunim në rritje dhe e vlerësojmë përkrahjen që Maqedonia na jep në skenën ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se e vlerëson angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë për akomodimin e të gjitha komuniteteve në Maqedoni.
“Të dyja vendet tona, si dy vende fqinje me një frymë, përkushtim e vizion euroatlantik janë të përcaktuara të bashkëpunojnë shumë ngushtë mes veti”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se është fat që ndërmjet dy shteteve nuk ka ndonjë çështje të hapur.
“Veç fqinjësia e mirë është faktor përcaktues për të ardhmen tonë euroatlantike të përbashkët si rajon. Kosova respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe mbështet fuqishëm implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka falënderuar presidentin Thaçi për mikpritjen, duke thënë se kjo dëshmon përkushtimin e përbashkët për të përforcuar bashkëpunimin ndërshtetëror.
“Për fat të mirë, Maqedonia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura, që do të thotë se do të vazhdojë mbështetja e ndërsjellë në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euroatlantike”, ka thënë kryeministri Zaev.
Presidenti Thaçi ka theksuar se dy shtetet kanë vetëm një platformë dhe ajo është integrimi euroatlantik.