presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi priti Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn

Prishtinë, 15 shtator 2017- Presidenti i Republikës Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takimin e parë Kryeministrin e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajn.

Presidenti Thaçi, i shprehu atij urimet më të mira për zgjedhjen në krye të Qeverisë së vendit, njëkohësisht duke  shprehur edhe zotimin për bashkëpunim.I pari i vendit me këtë rast tha se ka takuar sot paradite edhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëriun Veseli,  si dhe tani Kryeministrin e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, z. Haradinaj, në mënyrë që me të vërtetë të fillojë një fazë e re e angazhimeve institucionale, një fazë që do të përshpejton procesin e integrimeve euroatlantike.“Duke uruar zgjedhjen kryeministrit Haradinaj , në të njëjtën kohë ne ndajmë përgjegjësitë tona institucionale për kryerjen e përbashkët të këtyre prioriteteve jetike që janë për vendin tonë”, theksoi presidenti Thaçi.Ai po ashtu bëri të ditur se në takimin mes tij dhe kryeministrit Haradinaj, u diskutua për vazhdimin e reformave demokratike të nevojshme dhe të domosdoshme për shtetin e ri.Presidenti Thaçi tha se Kosova i kaloi disa sprova të rëndësishme të demokracisë, si organizimi i zgjedhjeve fer, të lira, demokratike, transparente të vlerësuara nga gjithë spektri politik dhe bashkësia ndërkombëtare.Gjithashtu, është një meritë e jashtëzakonshme e partive politike kosovare konstituimi i Kuvendit, themelimi i Qeverisë nga vet debati i brendshëm i spektrit politik, pa ndërhyrje prej ndërkombëtarëve, duke e vlerësuar këtë si një kulturë të re politike.“Ne diskutuam me Kryeministrin Haradinaj edhe sot më herët me Kryetarin Veseli, angazhimet që do t’i kemi të përbashkëta për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në NATO, në Bashkim Evropian, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, vijoi presidenti Thaçi.Ai më tej tha se ky është vetëm fillimi i mandatit qeverisës, dhe se natyrisht se do të ketë hapësirë dhe mundësi të një debati edhe në Kuvendin e Kosovës për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, duke shprehur besimin plotë se do të përfshihen edhe partitë opozitare edhe të gjithë, sepse sipas tij, vetëm të bashkuar mund të lëvizim përpara edhe më shpejtë, edhe më mirë.“Ka hapësirë për të kontribuar të gjithë, për çka kam besim që do të krijohen ato rrethana, ato kushte të komunikimit edhe të bashkëpunimit që janë interesa të përbashkëta, natyrisht duke respektuar gjithmonë pozicionin e Qeverisë, edhe të opozitës. Por, janë shumë më shumë prioritete që i bashkojnë spektrin politik, se sa që i dallojnë në qasjet e tyre”, theksoi i pari i vendit.Presidenti Thaçi shprehu besimin e tij se gjërat që kanë mbetur për t’u kryer do të kryhen shpejtë, por edhe prioritet e reja që ka vu para vetes kryeministri Haradinaj, qeveria Haradinaj, do të mund të implementohen në të ardhmen e afërt.“Jam i vetëdijshëm se do të ketë plotë sfida, do të ketë vështirësi, do të ketë ballafaqime, por me energji dhe vendosmëri do të kryhen të gjitha, unë jam optimist”, përfundoi presidenti Thaçi.Ndërkaq, nga ana tjetër Kryeministri i sapozgjedhur i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është ky takimi i parë me Presidentin e Kosovës, por që sipas tij këtu fillon një praktikë e takimeve të rregullta që do të ndiqet në të ardhmen.“Kam nderin sot ta zhvilloj takimin e parë me Presidentin e Kosovës, zotin Thaçi. Njëkohësisht, ta fillojmë kështu një praktikë tani, e që do ta ndjekim në vazhdimësi të takimeve të rregullta, në të cilat do të shfrytëzoj rastin me i raportu presidentit për zhvillimet qeverisëse në vend”, theksoi kryeministri Haradinaj.Ai më tej tha se opinioni dhe qytetarët e vendit janë në dijeni se ne veç e kemi incizua gjendjen qeverisëse në vend, tani e dimë si është qeverisja, si është gjendja ma reale në vend.“Javën që po vjen do t’i paraqesim Parlamentit dhe vendit edhe programin qeverisës, por që ka nisje të saktë nga gjendja reale” shtoi Haradinaj. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.