presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi nesër merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan

Prishtinë, 3 shtator – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.

Për nder të humanistes shqiptare, sonte në Selinë e Shenjtë do të mbahet edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku do të marrin pjesë artistë të njohur botërorë.

Ndër solistët e njohur që do të përformojnë në këtë koncert janë edhe dy artistet shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula. Kurse futbollisti shqiptar, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e “Nënës Terezë”.

Ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë do të mbahet nesër dhe pjesë e saj do të jenë rreth 100 mijë besimtarë, si dheliderë e personalitete të shumta botërore.

Pas ceremonisë së shenjtërimit, presidenti Thaçi në mbrëmje do të jetë i pranishëm edhe në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë.

E dekoruar me çmimin Nobel për Paqe më 1979, Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali më 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, Nënë Tereza kishte shëruar një grua indiane.

Më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, gjegjësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, që ka ndodhur më 9 dhjetor 2008.

Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të humanistes shqiptare.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.