Prishtinë, 19 nëntor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Presidenti Thaçi ka thënë se ndonëse është ceremoni që në shikim të parë duket e njëjtë, në fakt çdo vit sjellë diçka të re.“Risia e parë që sjellë është një hap tjetër në thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it, NATO-s në përgjithësi, dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Risia e dytë është zgjerimi i bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, që dëshmohet me raportet për të arriturat e vazhdueshme, veçanërisht në bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dhe risia e tretë është hapi i madh drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit e ka falënderuar për punën e bërë komandantin e deritashëm të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin D’Addario.“Angazhimi juaj ka sjellë më shumë paqe, më shumë siguri dhe kjo ka ndikuar në jetë më të mirë për çdo qytetar të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke i dëshiruar mirëseardhje komandantit të ri, gjeneralmajorit Michele Risi.Presidenti Thaçi ka thënë se edhe pas 20 vjetësh prezencë në Kosovë, KFOR-i vazhdon të jetë një prej organizatave që gëzon besimin më të madh të qytetarëve.“Ky besim i madh nuk është aspak i rastësishëm. Por, është i krijuar falë punës profesionale, të paanshme dhe të suksesshme, që ushtarët e KFOR-it e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Suksese jo vetëm në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Kosovës, të hapësirës ajrore të Kosovës, por veçanërisht për sukseset në përkrahjen e Kosovës nga brenda. Këto suksese janë ndihma që ofrohet çdo ditë, për çdo komunitet, në tërë Kosovën, ndihma për shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare dhe mediat në vendin tonë. Besimi, bashkëpunimi, përkrahja, toleranca, bashkëjetesa, multietniciteti, paqja, janë vlera mbi të cilat është ndërtuar miqësia në mes të KFOR-it dhe çdo qytetari të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai ka shtuar se çdo komandant i KFOR-it është angazhuar për ndërtimit e një komunikimi sa më të mirë me qytetarët, sepse vetëm përmes komunikimit të mirë përçohen fuqishëm mesazhet e paqes, pajtimit dhe bashkëpunimit, duke treguar se të gjithë kemi përgjegjësi për ta forcuar paqen dhe për ta ndërtuar një jetë më të mirë në tërë rajonin tonë.“Sukseset tona të përbashkëta në fakt e bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshëm KFOR-in. Reduktimi i vazhdueshëm i trupave të KFOR-it në Kosovë është treguesi më i mirë për sukseset që kanë arritur ushtarët dhe udhëheqësit e KFOR-it. Këto suksese janë arritur edhe falë bashkëpunimit të ngushtë me mekanizmat vendorë të sigurisë”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se nga bashkëpunimi i mirë është krijuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale dhe shumetnike, e cila është në shërbim të çdo qytetari të Kosovës.Ai ka shtuar se zhvillimi i FSK-së do të thotë se një ditë, në një të ardhme të afërt, do të realizohet aspirata jonë që jo vetëm NATO-ja të jetë në Kosovë, por që edhe Kosova të jetë në NATO, si dhe të kontribuojmë për paqen në tërë botën, me punën tonë dhe me shembullin tonë.