Londër, 5 prill 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të Institutit Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, ka mbajtur sot një ligjëratë për situatën politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun si dhe për perspektiven euroatlantike të Kosovës, në Londër, Britani e Madhe.
Duke folur para të pranishmëve presidenti Thaçi ka thënë se ja vlen që të diskutohet për Kosovën mu këto ditë kur po kremtohet 70 vjetori i themelimit të NATO-s dhe 20 vjetori i intervenimit të NATO-s në Kosovë.“Bota u bind se Sllobodan Millosheviqi, se Serbia, nuk dëshironte as dialog, as marrëveshje, as paqe. Serbia vazhdoi fushatën e gjenocidit dhe dëboi gjysmën e popullatës së Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe jashtë kufijve të Kosovës. Forcat serbe kryen 400 masakra rreth e qark Kosovës dhe shkaktuan mbi 20.000 viktima të dhunës seksuale”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i vendit ka theksuar më tej se ishte intervenimi humanitar i NATO-s që solli deri tek ndalja e gjenocidit dhe pastrimit etnik te ndërmarrë nga forcat serbe.Duke folur për perspektivën e sotme të Kosovës, Presidenti Thaçi tha se Kosova tani është një shtet i pavarur, sovran, i njohur nga më shumë së 100 shtete në mbarë botën, anëtar i më shumë se 200 organizatave botërore.Duke folur për liberalizmin e vizave, kreu i vendit ka thënë edhe pse popullata e Kosovës është më pro-Evropiane në Ballkanin Perëndimor, edhe pse i ka përmbushur të gjitha konditat për lëvizje pa viza në BE, fatkeqësisht mbetet vendi më i izoluar i Evropës.Një gjë e tillë, sipas tij ka ndodhur sepse “Vendeve të BE-së u mungon kuraja dhe uniteti për të marrë vendime mbi Kosovën. Kjo është një e padrejtë dhe një dënim, posaçërisht për gjeneratën e re”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi, në kuadër të këtij bashkëbisedimi të zhvilluar në institutin “Chatham House” ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Sipas tij nuk është lehtë për armiqtë e dikurshëm të flasin me njëri – tjetrin, por “komunikimi dhe dialogu janë mënyra e vetme për të ecur përpara, mënyra e vetme për të arritur paqe, përndryshe do të ngelim peng i së kaluarës dhe çmimin do ta paguajnë gjenerata e ardhshme”.“Mbes me shpresë dhe optimist se arsyeja do të mbizotërojë dhe se vendet tona do të arrijnë marrëveshje paqeje. Një marrëveshje kompromisi që do t’i sjellë benefite të dy vendeve. Një marrëveshje ligjërisht obliguese e cila do të sjellë njohje të dyanshme të dy vendeve sovrane, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së të cilat nuk e njohin akoma, rrugëtim të sigurt drejtë NATO-s dhe BE-së, dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, dhe Serbisë do t’i sigurojë perspektiven Evropiane”, ka theksuar presidenti Thaçi. Ai ka shtuar se Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë dinamik dhe energjik, dhe një gjë e tillë është e shëndetshme për procesin dhe për shoqëritë tona.“Ka edhe skeptikë dhe kundërshtarë, dhe unë i kuptoj ata. Por, pyetja ime për të gjithë është – cila është alternativa e dialogut? Si e shohin ata ecjen përpara? Të vazhdohen armiqësitë dhe konflikti? Përgjigjja ime është JO”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i vendit ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të jetë e unifikuar, posaçërisht shtetet e Kunitit, dhe se sipas tij nëse ata janë të bashkuar, Kosova do të jetë edhe më e bashkuar.“Mbi të gjitha, marrëveshja është në interes të Kosovës, në interes të Serbisë, por edhe në interes të bashkësisë ndërkombëtare, në interes të BE-së dhe SHBA-së”, ka theksuar ai.Duke shtuar se status kuo-ja dhe konflikti i ngrirë nuk mund të qëndrojnë, ai ka thënë se Kosova ishte dhe mbetet një partner konstruktiv në këtë proces. “Marrëveshjet nuk mund të arrihen me veprime të njëanshme të asnjërës palë, apo me vendosjen e kushteve. Në Kosovë, mbi 70 për qind e qytetarëve e mbështesin dialogun dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i mbyllë te gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet siç janë personat e pagjetur, refugjatët, trashëgimia kulturore dhe historike, bashkëpunimi ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe çështjet si edukimi, shëndetësia dhe të ngjashme’, ka shtuar presidenti.Presidenti Thaçi në fund të këtij bashkëbisedimi ka thënë se “një gjë është e sigurt, se nuk do të ketë kufij të bazuar në vija etnike, dhe se Kosova do të mbetet një shtet dhe një shoqëri multietnike, duke ruajtur shpirtin e vlerave perëndimore dhe parimet e demokracive liberale të cilat i kemi ndërtuar së bashku”.Pas fjalimit, Presidenti Thaçi është përgjigjur në pyetjet e pjesëmarrësve.