DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi në Bullgari: Të ndërtojmë besim dhe të bashkëpunojmë, armiqësitë e popujve të rajonit janë tejkaluar

Sofje, 1 qershor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Sofje të Bullgarisë, e cila sivjet ishte kryesuese e këtij procesi të rëndësishëm për rajonin tonë.

Me moton “SEECP – 20 vite kyçi i bashkëpunimit rajonal”, shteti bullgar sivjet po e përfundon mandatin e tij si kryesues, derisa ishte po i njëjti që e kishte iniciuar këtë proces në vitin 1996.
 
Për këtë samit, ku po marrin pjesë gjashtë presidentë të shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është shumë i rëndësishëm për të diskutuar për hapat e ardhshëm për rajonin, në kontekst të integrimit rajonal dhe të integrimit në BE e NATO, veçanërisht në këto kohë plot sfida për rajonin dhe BE-në.
 
“Po takohemi në një moment të rëndësishëm për rajonin, moment kur duhet të hedhim hapa tjerë konstruktivë drejt integrimit tonë. Komunikimi në mes palëve të rajonit më nuk është çështje. Takimet, bisedat, dialogu në mes të gjithëve në rajon tanimë është normalitet. Është koha për të ndërtuar mirëbesim në mes nesh, në mes popujve dhe vendeve tona. Na takon neve si liderë politikë të dëshmojnë se kemi tejkaluar armiqësitë e shekullit të kaluar dhe se jemi të përkushtuar të ndërtojmë të ardhme në paqe, stabilitet dhe miqësi. Forumet si SEECP janë platforma ku ne zotohemi se do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se do të përkrahim sinqerisht njëri-tjetrin, por edhe tërë rajonin në ndërtimin e të ardhmes më të mirë për të gjithë. Duke ndërtuar bashkëpunim dhe miqësi, ndërtojmë edhe besim që reflekton në tërë shoqëritë tona”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Duke iu referuar pjesëmarrësve në këtë samit, ai ka thënë se politikat tona, veprat tona më nuk janë vetëm lokale, por janë rajonale, sepse prekin tërë rajonin tonë, për të mirë apo për të keq.
 
Si mekanizëm i parë që sjellë besim mes popujve, presidenti Thaçi ka thënë se është pajtimi.
 
“Pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kemi parë edhe vizitat e para pas dekadave të liderëve të Shqipërisë në Serbi dhe të Serbisë në Shqipëri. Pra, veprat tona, hapat tonë pozitivë, kanë reflektim rajonal”, ka thënë ai.
 
Hapi i dytë, sipas presidenti Thaçi, është bashkëpunimi.
 
“Po përmirësojmë infrastrukturën rrugore duke ndërtuar autostrada dhe hekurudha, po bashkëpunojmë në sektorin e energjisë dhe të telekomunikimit, kemi shkëmbim gjithnjë e më të madh tregtar me njëri-tjetrin. Nga kjo infrastrukturë më e mirë do të jemi më afër njëri-tjetrit, do të njohim më mirë njëri-tjetrin, do të bashkëpunojmë më mirë me njëri-tjetrin. Por, përveç se të bashkëpunojmë për zhvillimin tonë, është qenësore që të bashkëpunojmë në përballimin e sfidave dhe kërcënimeve për rajonin tonë. Vala e emigrantëve, radikalizmi dhe ekstremizmi na prekin të gjithëve. Asnjëri nuk jemi më pak të prekur apo më pak të rrezikuar. Pra, bashkëpunimi në mes nesh, në tërë sektorët, nuk është vetëm dëshirë, por edhe nevojë”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Në fund të fjalimit të tij, presidenti Thaçi ka thënë se udhërrëfyesin për të ardhmen tonë më të mirë e kemi, kurse forumet si SEECP janë mekanizma për të vlerësuar dhe elaboruar më shumë këtë udhërrëfyes.
 
“Është detyrë e jona si liderë politikë të japim shembull duke ndërtuar miqësi, bashkëpunim, pajtim dhe besim”, ka thënë ai.
 
Prioritete të udhëheqjes së SEECP nga Bullgaria ishin kryesisht politikat për migracionin dhe përballimin e refugjatëve, pastaj ato për lirinë e mediave dhe fjalën e lirë, si dhe për zhvillimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, të cilat kërkojnë bashkëpunim më aktiv dhe veprime të përbashkëta.
 
Përveç presidentit Thaçi, në këtë samit po marrin pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidenti i Moldavisë, Nicolae Timofti, kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov.
 
Gjithashtu, pjesëmarrës në këtë samit janë edhe Kryeministri i Rumanisë, Daçian Çolosh, zëvendëskryeministri i Sllovenisë, Karl Erjavec, si dhe ai turk Turgul Turkesh, kurse shtetet e tjera të Evropës Juglindore përfaqësohen me ministrat e tyre të jashtëm.
 
Në fund të samitit do të miratohet edhe deklarata jubilare, që pasqyron arritjen e SEECP gjatë dy dekadave të fundit dhe vëmendje e veçantë në të do t’i kushtohet edhe veprimeve të përbashkëta për zhvillim e ardhshëm të Evropës Juglindore.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.