presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi mori pjesë në shënimin e 90-vjetorit të shkollës së Turiqecit

Skënderaj, 13 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në shënimin e 90-vjetorit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët në Turiqec të Skënderajt, njërës prej shkollave të para në rajonin e Drenicës.

Në mesin e mysafirëve të shumtë, ishin edhe nënkryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, veteranë të arsimit, intelektualë dhe akademikë, si dhe mësimdhënës nga rajoni i Drenicës.
 
Presidenti Thaçi tha se rëndësia e kësaj shkolle për këtë trevë dhe më gjerë nuk ndërlidhet vetëm me vendndodhjen e saj, por edhe me kuadrot që ajo i nxjerr. Presidenti i falënderoi të gjithë kontributdhënësit, nga mësuesi i parë deri te brezat më të rinj të mësuesve dhe arsimtarëve të cilët me përkushtimin e tyre, me edukimin e tyre, përgatitjen, urtësinë dhe atdhedashurinë e tyre, nxorën njerëz të cilët kanë dhanë shumë për shtetin e Kosovës.
 
I pari i vendit tha se kjo shkollë ka një historik të njëjtë me historikun e Kosovës. Kjo shkollë, sipas tij, u hap mes Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore.
 
“U hap në kohën kur edhe kjo trevë e Drenicës u ishte bashkuar çetave çlirimtare të Azem Bejtës e Shotë Galicës për të vazhduar më tutje në ato vitet e këmbëngulësisë për çlirimin e vendit dhe për të ardhur deri te fillimi i mësimit në gjuhën shqipe, gjatë viteve 1941-1943”, tha presidenti Thaçi.
 
Më pas, ka thënë Thaçi, erdhi kontributi, angazhimi dhe aktiviteti i këtyre njerëzve këtu, në krye me Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën, udhëheqës të rezistencës së lavdishme të Drenicës, shqiptarëve dhe të gjithë Kosovës, për t’iu bashkuar dhe për t’u thënë jo një herë e përgjithmonë të qëndruarit nën ish-Jugosllavi dhe për t’i thënë jo komunizmit jugosllav.
 
Tutje, presidenti Thaçi theksoi se Drenica është një prej zonave më rezistente në Kosovë kundër pushtuesit serb dhe kundër ideologjisë të së keqes, dhe e cila, pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdoi me përpjekjet, sakrificën për mbijetesë, për një jetë më normale, për të dalë nga izolimi e diskriminimi që ndodhnin në të gjitha rrafshet e jetës. Sipas presidentit Thaçit, të gjitha këto përpjekje dhe demonstratat në vitet në vazhdim kulmuan me fillimin e rezistencës së armatosur, pikërisht aty ku pritej dhe duhet të shpërthente – sërish në Drenicë, në kullën e Shaban Jasharit dhe komandantit legjendar, Adem Jasharit.
 
“Tani e shënojmë 17-vjetorin e lirisë së Kosovës, 17 vite përpjekje, 17 vite punë, 17 vite qëllim dhe vizion pro-perëndimor. 17 vite këto të sukseseve për Kosovën. E di se për një vend dhe për një komb janë pak, por duhej të plotësonim vitet e humbura, dekadat e humbura për këto 17 vite”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Për sa i përket zhvillimeve të fundit në vend, presidenti Thaçi theksoi se e ardhmja e Kosovës është e sigurt, sepse këtë vit u nënshkrua edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, marrëveshje kjo e para kontraktuale ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
“Tanimë të rinjtë e Kosovës do të jenë sikur të gjithë të rinjtë evropianë. Pas rekomandimit nga Komisioni Evropian, qytetarët e Kosovës do ta fitojnë të drejtën për liberalizimin e vizave. Edhe talentët që kanë dalë dhe do të dalin nga kjo shkollë dhe nga kjo trevë, do të kenë mundësi që pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, të marrin pjesë në gara ndërkombëtare, qoftë në futboll apo në sporte dhe gara të tjera ndërkombëtare”, theksoi presidenti Thaçi.
 
Nga ana tjetër, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se jemi sot në këtë shkollë për të shënuar 90-vjetorin e punës dhe për të kujtuar rolin dhe rëndësinë që ka pasur për edukimin e brezave të rinj. Jemi krenarë që kjo shkollë dhe Drenica kanë edukuar patriotë të cilët ishin bartës të proceseve të çlirimit, bartës të proceseve të shtetndërtimit dhe sot udhëheqin Republikën e Kosovës në sfidën e integrimit evropian. Ai i falënderoi mësimdhënësit për punën e palodhshme që po bëjnë në shkollat tona, me nxënësit tonë, duke theksuar funksionin patriotik për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë. Ministri Bajrami ftoi që të gjithë të punojmë bashkë për krijimin e shkollave cilësore, që t’iu qasemi nxënësve me shumë dashuri, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’u sigurojmë një shkollim të mirë, një të ardhme prosperuese dhe me këtë të ndikojmë në mirëqenien e përgjithshme.

Ndërkaq, drejtori i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Abedin Rexha”, Fadil Beqa, tha se kjo shkollë, me 861 nxënës dhe 60 punonjës, është një shkollë më traditë, në të cilën hapat e parë i bënë shumë kuadro të të gjitha profileve.
 
“Shkrimtarë si Nebil Duraku, profesorë, inxhinierë, doktorë shkencash, mjekë të nivelit botëror si Rifat Latifi, këngëtarë si Ilir Shaqiri, komandantë si Abedin Rexha, dhe ajo që na bënë krenarë përgjithmonë është se hapat e parë si lider i së ardhmes i bëri Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi”, ka thënë Beqa.
 
Drejtori Beqa tha se të gjithë ne në këtë institucion edukativ dhe arsimor do të punojmë shumë, aq sa mundemi dhe aq sa dimë, që t’i realizojmë përmbajtjet kurrikulare të hartuara nga MASHT, dhe në frymën evropiane, që nxënësit tonë të fitojnë kompetenca që në të ardhmen të mund të kyçen në tregun evropian të punës dhe të jenë sa më të dobishëm për vendin e tyre.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.