Panama City, 28 qershor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar agjendën e takimeve me përfaqësues të shteteve të ndryshime gjatë vizitës zyrtare në Panama. Të hënën ai ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit të Amerikës Latine, me seli në Panama, Elias Castillo.
Në këtë takim, Presidenti Thaçi është interesuar fillimisht për krijimin e një grupi të miqësisë në parlamentin panamez, e më pas edhe për mundësinë e anëtarësimin e Kosovës si shtet vëzhgues në Parlamentin Latino-Amerikan të njohur si Parlatino.
“Panama është për Kosovën qendra e Amerikës Latine. Është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, prandaj edhe kemi hapur ambasadën tonë këtu. Edhe vendet e tjera të Amerikës Latine duhet të ndjekin shembullin e Panamasë”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se bashkëpunimi ndërmjet deputetëve kosovarë dhe atyre të Panamasë si dhe të Parlatinos do të përbënte avancim i marrëdhënieve të Kosovës me këtë pjesë të botës.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Parlatino, me seli në Panama, Elias Castillo, ka mirëpritur propozimin e presidentit Thaçi, duke thënë se Kosova ka një vend në Parlamentin e Amerikës Latine.
Presidenti Thaçi gjatë ditës ka mbajtur një ligjëratë edhe në njërin nga universitetet më me ndikim në Panama, “Universiteti i Marisë së Shenjtë”, i cili dallohet për angazhimin për të drejtat e njeriut.
Në këtë Universitet, presidenti Thaçi është dekoruar me çmimin “Vizitor i nderit”.
Fillimisht, rektori i këtij universiteti, Juan Planells Fernandez, është shprehur se presidenti Thaçi me lidershipin dhe punën e tij për Kosovën ka qenë frymëzim për të gjithë.
“Vizita e Presidentit të Kosovës, një vend i vogël që ka dalë nga një dhembje, por me një qëndrim të pajtueshmërisë dhe të dialogut të hapur për të gjithë, pa dyshim se është një sinjal i shpresës për njerëzimin dhe si e tillë e sinjalizon botën që të vazhdojë një rrugë të tillë”, ka thënë rektori Fernandez.
Ndërsa, presidenti Thaçi, në ligjëratën e tij para udhëheqësve të universitetit dhe studentëve, ka thënë se Kosova mbetet model i bashkëjetesës fetare.
Në takime të ndara, presidenti Thaçi ka bashkëbiseduar me presidentë të Amerikës Qendrore dhe Latine, me ish-Mbretin e Spanjës Juan Carlos I, me kryeministra dhe ministra të shteteve, me fokus të veçantë te shtetet që nuk na kanë njohur dhe që presim të na njohin.
“E falënderova posaçërisht Presidentin e Panamasë, Juan Carlos Varela, për pritjen bujare dhe ndihmën që ky shtet po i jep Kosovës në ndërveprim global diplomatik”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Presidenti është takuar edhe me Presidentin e Kostarikës, Luis Guillermo Solís. Është ky një ndër shtetet që kanë njohur Kosovën ndër të parët dhe ka ofruar përkrahje të vazhdueshme për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Jemi pajtuar që të akreditojmë ambasadorët jorezidentë dhe të fillojmë një varg konsultimesh për rritjen e shkëmbimeve në të gjitha fushat. Pranova me kënaqësi që ta vizitoj shtetin e Kosta Rikës më vonë, ndërsa ftova homologun në Kosovë. Jemi të bekuar që kemi miq që në çdo anë të botës”, ka thënë Presidenti i Republikës së Kosovës, Thaçi.
Presidenti Thaçi ka zhvilluar takim edhe me presidentin e Paraguajit, Horacio Cartes, me presidentin e Hondurasit, Juan Orlando Hernández, me presidentin e Republikës Dominikane, Danilo Medina Sánchez, me kryeministrin e Xhamajkës Andrew Holness dhe me zëvendëspresidentin e Guatemalës, Jafeth Ernesto Cabrera Franco.