DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi i dorëzoi Medaljen Presidenciale të Meritave ambasadorit Grenell

Prishtinë, 21 shtator 2020 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar ambasadorin Richard Grenell me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e dhënë në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të dekoratës, kreu i shtetit deklaroi se arritja e marrëveshjes është kurorëzim i përpjekjeve të palodhshme të ambasadorit Grenell. “Ambasadori Grenell arriti sukses, sepse gjithmonë besonte në përkushtimin dhe në nevojën tonë për ta arritur këtë marrëveshje. Atë që nuk e arriti askush, ambasadori Grenell e arriti shpejt dhe mirë. Unë jam krenar që për dy vite kam qenë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për ta finalizuar këtë marrëveshje. I njoh vështirësitë dhe pengesat në proces, por ju përgëzoj për energjinë, kreativitetin dhe vendosmërinë”, deklaroi kreu i shtetit. Presidenti Thaçi shprehu mirënjohje edhe për presidentin Trump dhe lidershipin e tij për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik në Kosovë dhe në tërë Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se pret me padurim vizitën e tij në Kosovë. “Arritja e marrëveshjes për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë është dëshmia më e mirë se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe marrëveshja politike përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet dhe mund të arrihet vetëm në Shtëpinë e Bardhë”, përfundoi presidenti Thaçi. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.