“Është e domosdoshme që rikonfigurmi i UNMIK-ut të përfundojë sa më shpejt, ndërsa misioni i EULEX-it të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me z. Lamberto Zannier, shef i UNMIK-ut.
“Republika e Kosovës është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore e bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, ndaj angazhohemi për relaksimin e raporteve edhe me Serbinë, si dy shtete sovrane e fqinje, por asnjë lloj bisede tjetër, që në çfarëdo mënyre mund të ndërlidhet me statusin, nuk është e pranueshme për ne, sepse statusi i Kosovës është përmbyllur përgjithmonë me pavarësimin e saj” theksoi Presidenti Sejdiu. Shefi i UNMIK-ut, z. Zannier, e njoftoi Presidentin Sejdiu për ecurinë e procesit të rikonfigurimit të UNMIK-ut. Ai tha se tashmë janë bërë përgatitjet që bazat e këtij misioni t’i dorëzohen EULEX-it dhe se UNMIK-u do të ndihmojë funksionalizimin e misionit të BE-së në Kosovë.